Është pyetur për herë të parë nga hetuesit babai i 14-vjeçarit që u vra nga bashkëmoshatari i tij tre javë më parë pranë shkollës ‘Fan Noli’.

Engjëll Cani, para OPGJ-ve të Prokurorisë së Tiranës, ka deklaruar se nuk kishte dijeni për sherrin mes fëmijëve dhe nuk është vënë në dijeni nga shkolla. Sipas Canit, kjo mund të kishte parandaluar ngjarjen.

Babai i 14-vjeçarit rrëfeu para hetuesve se vetëm ditën e ngjarjes, shkolla telefonoi gruan e tij teksa ajo ndodhej në punë dhe më pas nuk iu përgjigj njeri pavarësisht insistimit për t’u lidhur me stafin për të mësuar më shumë.

Engjëll Cani u tha oficerëve të policisë gjyqësore se vdekjen e të birit e mësoi kur mbërriti në Spitalin e Traumës. Edhe pse kanë kaluar 3 javë nga ngjarja e rëndë, Cani deklaron se në shtëpinë e tij nuk ka shkuar njeri apo kontaktuar nga familja e autorit të dyshuar.

Me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, këtë të mërkurë, babait të 14-vjeçarit iu kthye çanta me librat e të birit, që ishin sekuestruar më herët nga policia.

Sherri mes të miturve ndodhi në 18 Nëntor, rreth 200 metër larg shkollës “Fan Noli”, konflikt që kishte nisur disa ditë përpara.

I mituri ndërroi jetë në Spitalin e Traumës, ndërsa i plagosur mbeti edhe shoku i tij. Ky i fundit është dërguar për kurim në Itali.

Autori i dyshuar i kësaj ngjarje, i cili gjithashtu mbeti i lënduar, ndodhet në institucionin e vuajtjes së dënimit për të mitur në Kavajë, me masën “arrest në burg”.

Klan News