Këto janë pamjet kur çifti palestinez, por me vendbanim në Gjermani, Fadi dhe Rayyan Alwan mbërrijnë në aeroportin e Rinasit, pasditen e 19 Shkurtit.
Video e siguruar është fiksuar nga kamerat e aeroportit, sapo çifti kaloi kontrollin e pasaportave, ku paraqitën dokumente të shtetësisë greke.
Pikërisht në Greqi u largua dhe 49-vjeçari, Fadi Alwan që shihni dhe në këtë foto, i dyshuar si autor i vrasjes me thikë të së resë 24-vjeçare, në një apartament në rrugën “Gjon Muzaka” në Tiranë.
Ai rezulton të jetë larguar nga vendi më 22 Shkurt, po atë ditë dyshohet të jetë kryer dhe ekzekutimi i të Rayyan Alwan, që u gjet pa shenja jete pasditen e 27 Shkurtit nga pronarja e banesës së marrë me qira prej tyre.
Nga verifikimet e kryera policia, ka zbuluar se autori pasi ka fluturuar nga Shqipëria në drejtim të Athinës, ka udhëtuar po me datë 22 në Amsterdam.
Për lokalizimin dhe kapjen e 49-vjeçarit, uniformat blu kanë përcjellë informacion përmes Interpol.
Identifikimi i tij si autor i vrasjes së 24-vjeçares, erdhi nga gjurmimi i një numri gjerman, që Fadi Alwane kishte përdorur për të rezervuar apartamentin në Tiranë.
Nisur nga dinamika e ngjarjes hetuesit dyshojnë se krimi ka qenë i mirëmenduar nga 49-vjeçari, i cili për të mos u identifikuar fshehu çdo gjurmë në apartamentin ku kreu dhe vrasjen e të resë.
Tv Klan