Për ekspertët, konflikti i armatosur që çoi në vrasjen e Pjerin Xhuvanit, para zgjedhjeve parlamentare të 2021 në Elbasan nisi nga krahu i viktimës dhe sipas vlerësimeve të tyre, ai ka pasur pranë një tjetër person që ka qëlluar, ky i fundit ende i paidentifikuar.

Treshja e gjyqtarëve në Apel dëgjoi këtë të martë konkluzionet e ekspertëve që caktoi më herët për rindërtimin e skenës së krimit për të cilin është dënuar ish-efektivi Arbër Paplekaj me 35 vite burg për vrasje.

Para gjyqtarëve, ekspertët gjithashtu thanë se pamjet tregojnë që Paplekaj, pas konfliktit fizik me shtyrje të dy grupimeve është tërhequr, me qëllim për të identifikuar personat që ishin të armatosur dhe mund të qëllonin.

Riçelja e gjykimit u bë me kërkesë të ish-efektivit të RENEA-s, Arbër Paplekaj, i cili pretendon që ka qëlluar me armë për vetëmbrojtje dhe i tronditur, duke kërkuar ndryshimin e akuzës, në vrasje në kushtet e tronditjes së fortë psikologjike.

Përplasja me armë që çoi në vrasjen e Pjerin Xhuvanit ndodhi në 21 Prill, 4 ditë para zgjedhjeve dhe gjithçka nisi nga dyshimet se 1 person po shpërndante para për të blerë vota në lagjen 5 Maji në Elbasan.

Tv Klan