Kanë kaluar të paktën 24 orë që nga vrasja e efektivit të policisë në Fier dhe ende nuk ka asnjë gjurmë nga autori i ngjarjes. 28-vjeçari Novruz Cenalia u ekzekutua ditën e djeshme me një plumb në kokë nga 23-vjeçari Azgan Mërnica, për këtë të fundit forcat e policisë janë në përpjekje të vazhdueshme për të bërë të mundur kapjen e tij.
Ngjarja e rëndë është një tronditje për uniformat blu, pasi ky nuk është rasti i parë që punonjësit e policisë janë qëlluar për vdekje. Megjithatë në kushtet me të cilat ndodhemi nuk është bërë ende e mundur zbardhja e plotë e të gjithë dinamikës së ngjarjes. Në një intervistë për Klan News ish-ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj tha se kjo ngjarje përveçse është e rëndë, është në fakt edhe një sulm i hapur ndaj policisë dhe vetë shtetit. Sipas tij ngjarje të tilla duhet të sjellin efektet e nevojshme në ndërgjegjësimin e shoqërisë.
“Në fakt ngjarja ka të bëjë të paktën me uniformën, të paktën me sa u informova unë ai punonjësi i policisë ishte me uniformë dhe ishte në rrugë për në punë. Ngjarja ishte e rëndë dhe i shtohet një serie ngjarjesh të cilat kanë patur si target punonjës të Policisë së Shtetit për arsye nga më të ndryshmet, por gjithsesi është një punonjës i Policisë së Shtetit, është një djalë i ri dhe vdekja e tij përveç vëmendjes duhet të sjellë pasojat e nevojshme, dhe efektet e nevojshme për ta zvogëluar sa më shumë mundësinë e riskun e ngjarjeve të tilla të cilat godasin shumë papritur dhe aq më tepër jetën e punonjësve të policisë, është goditje ndaj policisë, ndaj shtetit ndaj shoqërisë,” shprehet ai.
Përpjekjet për kapjen e autorit vazhdojnë, ku ndërkaq policia ka vendosur edhe një shpërblim prej 30 mijë euro për të gjithë ata të cilët japin informacione të vlefshme për kapjen e tij. Por nga studioja e Klan News Sandër Lleshaj ka thënë se thirrjen për dorëzim ua drejton të afërmve të autorit, të gjithë atyre të cilët kanë pjekurinë e nevojshme dhe që kanë ndikim mbi 23-vjeçarin, sepse do ishte në të mirë të tij që të përballej me drejtësinë dhe të mos e vazhdonte jetën në arrati.
“Nuk e di por me sa pashë ai ishte në një moshë të tillë që nuk e di se sa vend kanë thirrjet ndaj tij. Megjithatë më shumë thirrje ndaj atyre që mund të kenë ndikim mbi të, vlen thirrja që të reduktohet dëmi, të reduktojnë sa më shumë të jetë e mundur dëmi, ta çojë para drejtësisë me qëllim që t’i nënshtrohet drejtësisë sepse rrugëdalje nuk ka, nuk mund të ketë jetë në këto kushte, jetë normale në këto kushte dhe e vetmja mundësi për atë është t’i nënshtrohet drejtësisë dhe të paguajë çmimin për krimin e kryer,” përfundon ish-ministri i Brendshëm.
/tvklan.al