Për reagimin e policisë në protestën e zhvilluar gjatë seancës për masën e sigurisë së Erion Veliajt, edhe SPAK i është drejtuar Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Prokuroria e Posaçme shpreh shqetësimin mbi mungesën e reagimit në garantimin e sigurisë dhe rendit publik, përpara dhe gjatë seancës gjyqësore që u zhvillua të mërkurën. Edhe SPAK thotë se prokurorët, gjyqtarët dhe personeli janë penguar nga protestuesit duke sulmuar automjetet dhe kanë përdorur fyerje e kërcënime ndaj tyre.
“Gjatë protestës së zhvilluar më 12.02.2025, protestuesit kanë penguar lëvizjen e prokurorëve, gjyqtarëve dhe personelit duke sulmuar automjetet dhe kanë përdorur fyerje dhe kërcënime ndaj tyre”, njofton SPAK.
Prokuroria e Posaçme e konsideron qëndrimin e policisë në shkelje flagrante të detyrimeve ligjore dhe një cenim serioz të pavarësisë së institucioneve të drejtësisë.
“Gjithashtu e konsideron qëndrimin e Policisë së Shtetit një shkelje flagrante të detyrimeve ligjore dhe një cënim serioz të pavarësisë së institucioneve të drejtësisë. Mosveprimi për të garantuar sigurinë e prokurorëve dhe gjyqtarëve si dhe institucioneve të drejtësisë bie ndesh edhe me standardet ndërkombëtare si dhe ato që lidhen me kushtet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian për mbrojtjen e sundimit të ligjit”, njoftoi SPAK.
Prokuroria e Posaçme thotë se sipas ligjit, Gjykata e Posaçme dhe SPAK, mbrohen nga Garda e Republikës pasi ndodhen në të njëjtin objekt. Mirëpo në nenin 7, pika, 1 germa “I”, parashikohet bashkëpunim edhe me policinë e shtetit për garantimin e sigurisë, veçanërisht në raste të situatave të jashtëzakonshme.
“Duke u mbështetur tek raportimet e punonjësve të Gardës së Republikës janë kryer kërkesa të përsëritura për ndihmë drejtuar Policia e Shtetit për të garantuar perimetrin e jashtëm të SPAK dhe Gjykatave të Posaçme, duke vendosur një kordon sigurie të forcave policore. Kjo praktikë është ndjekur edhe më parë në protestat e zhvilluara, pranë ambienteve të SPAK dhe Gjykatave të Posaçme”, njoftoi SPAK.
Për këtë arsye, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar përmes një shkrese zyrtare marrjen e masave nga Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për të vënë përpara përgjegjësisë personat e duhur për mungesën e reagimit si dhe një shpjegim të argumentuar për mungesën e masave si në rastet e tjera të ngjashme.
Shkresa e SPAK i është drejtuar veç Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, edhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore si edhe për dijeni Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri.
Për këtë çështje reagoi sot edhe GJKKO. Ajo e konsideron sjelljen e Policisë së Shtetit si “të paprecedentë, të papranueshme dhe në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore”. Gjykata e Posaçme tha se me mosveprimet e saj Policia e Shtetit ka kontribuuar në pengimin e Gjykatës së Posaçme në ushtrimin e “e funksioneve të saj kushtetuese dhe ligjore për të gjykuar në një ambient të sigurt dhe të qetë si dhe për të garantuar jetën dhe shëndetin e gjyqtareve dhe personelit administrativ”.
Po ashtu kjo gjykatë ka kërkuar që t’i vihet në dispozicion procedura ligjore e ndjekur dhe planin e masave që janë marrë në rastet e ngjashme sikur protestat që janë kryer kur është paraqitur edhe kryedemokrati Sali Berisha./tvklan.al