Gjykata dhe Prokuroria e Posaçme akuzojnë Policinë e Shtetit se ka cenuar pavarësinë e gjyqësorit gjatë vlerësimit të masës së sigurisë për Erion Veliajn duke mos marrë masa për mbarëvajtjen e kësaj seance jashtë perimetrit të institucionit.
Përmes një shkrese zyrtare, këto dy institucione i kanë kërkuar shpjegim Ministrisë së Brendshme se përse policia nuk i është përgjigjur thirrjes së Gardës kur kërkuan të merren masa pasi protestuesit, jo vetëm kanë penguar gjyqtarët të dalin nga ambientet rrethuese të gjykatës, por edhe kur kanë tentuar të dalin, automjetet shoqëruese të tyre janë qëlluar nga ana e protestuesve, duke sharë dhe ofenduar gjyqtarët dhe prokurorët.
“Nga ana e Policisë së Shtetit, nuk ka pasur asnjë reagim për të bashkëpunuar me Gardën e Republikës së Shqipërisë, duke treguar një indiferentizëm të pashpjegueshëm në ndjekjen dhe parandalimin e kësaj situate e cila mund të rrezikonte seriozisht jetën dhe shëndetin e gjyqtarëve dhe personelit administrativ. Kjo apati institucionale përbën padyshim një cenim të rëndë të pavarësisë së gjyqësorit”, shkruan GJKKO.
GJKKO dhe SPAK akuzojnë Policinë e Shtetit se me sjelljen e saj të paprecedentë ka penguar në ushtrimin e funksioneve të saj dhe garantimin e jetës së magjistratëve.
“Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka konsideruar këtë sjellje të paprecedent të Policisë së Shtetit, të papranueshme dhe në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore përkundrejt institucioneve kushtetuese të sistemit të drejtësisë shqiptare, siç janë Gjykata e Posaçme dhe SPAK, të cilave ju ofrohet mbrojtje e posaçme. Nëpërmjet mosveprimeve të saj, Policia e Shtetit ka kontribuar në pengimin e Gjykatës së Posaçme në ushtrimin e funksioneve të saj kushtetuese dhe ligjore për të gjykuar në një ambient të sigurt dhe të qetë si dhe për të garantuar jetën dhe shëndetin e gjyqtareve dhe personelit administrativ”, shkruhet më tej në deklaratën për mediat.
Në shkresën drejtuar Ministrisë së Brendshme, dy institucionet kanë sjellë në vëmendje masat e marra në raste të ngjashme me 6 Dhjetor 2024 dhe 6 Janar 2025. Ndërsa kërkuan nga Policia dhe Ministria e Brendshme ndëshkimin e personave përgjegjës.
“Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i është drejtuar Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, që të marrin masat e duhura për vënien përpara përgjegjësisë administrative apo ligjore, të gjithë personat përgjegjës të Policisë së Shtetit, të cilët nuk kanë marrë masat e duhura, në zbatim të ligjit, për të shmangur apo monitoruar këtë situatë të paprecedentë. Po ashtu, kjo gjykatë ka kërkuar që t’i vihet në dispozicion e gjithë procedura ligjore e ndjekur dhe planin e masave që janë marrë në rastet e ngjashme sikurse gjatë protestave të datave 6.12.2024 dhe 06.01.2025, si dhe një shpjegim i argumentuar dhe me prova pse nuk është ndjekur e njëjta praktike edhe në rastin e incidentit të datës 12.02.2025”, shkruan gjykata.
Me 12 Shkurt seanca maratonë në Gjykatën e Posaçme për kryebashkiakun, bashkëshorten e tij dhe 5 biznesmenët u shoqërua me protestues që prej orëve të para të mëngjesit dhe deri në orët e vona duke mbështetur dhe kërkuar lirinë e Erion Veliajt.
Klan News