Policia e Shtetit i është përgjigjur sot ankesës së Gjykatës së Posaçme dhe SPAK për mosmarrjen e masave të sigurisë për të mbrojtur këto institucione gjatë protestës që u zhvillua të mërkurën gjatë seancës gjyqësore për kryebashkiakun Erion Veliaj.

Fillimisht Policia e Shtetit kritikon mënyrën se si u bë kjo ankesë nga institucionet e drejtësisë.

“Kjo është një praktikë që nuk ka ndodhur më parë, që organet ligjzbatuese komunikojnë përmes mediave ndërkohë që kanalet institucionale të komunikimit kanë qenë jo vetëm mëse të mjaftueshme, po edhe plotësisht efikase. Për natyrën dhe qëllimet e punës sonë të përbashkët, është domosdoshmëri komunikimi institucional”, thuhet në dekaratë që më pas merret me thelbin e ankesës së institucioneve të drejtësisë.

“Siç dhe është konstatuar, qytetarët në datë 12 Shkurt janë grumbulluar në mënyrë spontane dhe pa cenuar rendin publik, ndaj për këto arsye procedura standarde e tubimeve nuk ka gjetur zbatim për vendosjen e kordonit policor, i cili vendoset në vendin e kufizuar për tubim, çka në rastin konkret përveçse e panevojshme do të ishte edhe e pamundur, për shkak se grumbullimi i qytetarëve ka qenë spontan dhe i pa paralajmëruar.

Në rastet e tubimeve të tjera që referohen në shkresën e bërë edhe publike, bëjmë me dije se ato kanë qenë tubime të njoftuara më parë, e për të cilat ka patur informacione jo vetëm për vendin e grumbullimit po edhe për tendenca të ushtrimit të forcës nga ana e protestuesve, kështu që për pasojë është zbatuar procedura standarde e kufizimit të perimetrit dhe vendosja e kordonit policor sipas Planit të Masave, të hartuar për tubimet e njoftuara nga organizatorët apo për të cilat janë siguruar informacione të caktuara për zhvillimin e tyre.

Gjithashtu, theksojmë se tek shërbimet e Policisë të vendosura pranë perimetrit të Gjykatës së Posaçme dhe SPAK, nuk janë raportuar probleme për pengim të lëvizjes së gjyqtarëve, prokurorëve apo punonjësve të tjerë të administratës.

Lidhur me bashkëpunimin me Gardën e Republikës, as mund të vihet kurrsesi në dyshim se Policia e Shtetit është dhe do të mbetet tërësisht bashkëpunuese, duke koordinuar veprimet dhe shkëmbyer informacion lidhur me sigurimin e personaliteteve apo objekteve që ka në ruajtje Garda, ashtu siç në fakt edhe ka ndodhur me hyrjen e një individi të gjinisë femërore me aftësi ndryshe brenda perimetrit, e cila është shoqëruar dhe proceduar në bazë të ligjit nga Policia.

Pavarësisht kësaj, referuar pretendimeve në shkresën e lartpërmendur, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka filluar një hetim administrativ për të vlerësuar masat e marra nga autoritetet përgjegjëse dhe për të individualizuar përgjegjësinë e çdo strukture policore të angazhuar në këtë shërbim, në rast se konstatohet ndonjë e metë”, shkruhet në njoftimin e Drejtorisë Vendore të Policisë.

Klan News