Rreth 6 vite pas vrasjes së Kevin Hysës në Fushë Krujë, arrestohet në Bari të Italisë autori i dyshuar i ngjarjes, Agron Tufa personi që shihni dhe në këtë foto.

Ai ishte dënuar në mungesë me 30 vite burg nga Gjykata e Krujës në vitin 2021. Lokalizimi dhe arrestimi i Tufës u krye falë koordinimit të informacioneve të Interpol Tirana me atë autoritetet italiane.

Ngjarja e rëndë për të cilën ai akuzohet i përket vitit 2018, ku Agron Tufa në bashkëpunim një shtetas tjetër, të identifikuar si Hysni Rama, të arrestuar dhe dënuar me 20 vite burg kanë vrarë 34 vjeçarin, Kevin Hysa.

Trupi i të riutnga Gjormi i Kurbini pasi është ekzekutuar, është djegur prej tyre dhe më pas është groposur në afërsi të varrezave të fshatit Shelqet të Krujës.

Viktima ishte në atë kohë në kërkim nga policia si i dyshuar për një vrasje të ndodhur në Sarandë. Ishin familjarët e tij që shkuan në polici dhe thanë se kishin humbur gjurmët me të riun.

Shkak për krimin, policia tha se u bënë konfliktet për prishjen e pazareve të drogës. Hysa u qëllua me një plumb në kokë dhe më pas u gropos pranë parcelës me kanabis.

Për arrestimin e Agron Tufës reagoi dhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla i cili teksa përgëzoi punën e policisë njoftoi se tashmë kanë nisur procedurat e ekstradimit të të shumëkërkuar në vendin tonë.


Njoftimi i Policisë:

Në vijim të punës gjurmuese me qëllim sigurimin e informacioneve për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar për vepra të rënda penale, Drejtoria për Krimet e Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit siguroi informacion në lidhje me vendndodhjen e saktë në Bari të Italisë, të shtetasit në kërkim ndërkombëtar Agron Tufa, i dënuar nga Gjykata e Krujës, me 30 vjet burgim.

Informacioni i siguruar nga Drejtoria për Krimet e Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit është shkëmbyer në kohë reale nëpërmjet Interpol Tiranës me Interpol Romën dhe falë këtij informacioni Policia italiane në kuadër të operacionit “Informacioni”, kapi në Bari, Itali dhe arrestoi me qëllim ekstradimi shtetasin e kërkuar Agron Tufa.

Në vitin 2021, Gjykata e Krujës e ka dënuar këtë shtetas, me 30 vjet burgim, për vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim dhe për armëmbajtje pa leje.

Shtetasi Agron Tufa, në bashkëpunim me shtetasin H. R., ka vrarë me armë zjarri në Nikël, Krujë, shtetasin K. H., dhe më pas e kanë djegur trupin e tij.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në vendin tonë.


Në foto: Agron Tufa


Tv Klan