Pas vrasjes së të riut Ramazan Mataj në Dragoç të Shkodrës, familja e autorëve të akuzuar për këtë është ngujuar nga frika e gjakmarrjes. Kryefamiljari Rustem Hasaj shpreh pendesë të thellë për ngjarjen ku janë përfshirë dy djemtë e tij.

“Kjo më ka rënë bombë në shtëpinë time, ka ardhur e papritur. Unë jam në ngujim, ka mbas dy ditëve që e kam marrë vesh nëpërmjet mediave, nëpërmjet shtetit. I kërkuar ndjesë fshatit, familjes, fisit.”

Gjendur dhe në kushte ekonomike të vështira Hasaj kërkon ndihmë.

“Sot kam nevojë për shtetin, se më ka lënë 4 fëmijë, jam në gjendje ekonomike shumë të dobët.”

Për të shmangur konfliktet mes dy familjeve, pajtuesit e gjaqeve kanë nisur misionin e tyre.

“Ne si misionarë nuk do i ndajmë vizitat në këto familje derisa të gjejmë një rrugë komunikimi në të mirë të dy familjeve…”, thotë Dede Shullani, kryetar i Shoqatës së Misionarëve të Paqes dhe Pajtimit.

Për vrasjen e 33-vjeçarit, janë në pranga dy vëllezërit Arjon Hasaj dhe Klisman Hasaj. Ramazan Mataj u gjet i vrarë në automjetin e tij Mercedes Benz, mëngjesin e 5 janarit.

Tv Klan