Vrasja e Ramazan Matajt është risjellë në vëmendje mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion” në Tv Klan. E ftuar në studio, gazetarja Klodiana Lala ka ngritur shqetësim përsa i përket mentalitetit që sjell shoqëria deri në ndërmarrjen e aktit ekstrem të vrasjes.
Lala thotë se presioni i zonës i ushtruar mbi vëllezërit Arjon dhe Klisman Hasaj në lidhje me raportin e motrës së tyre me Ramazan Matajn në një farë mënyre ka qenë shkaktar për ngjarjen.
Klodiana Lala: Më lejo vetëm 2 fjalë për vrasjen e Ramazan Matajt. Është shumë e rëndë që dikush të hyjë dhe të prishë një familje dhe Ramazan Mataj dyshohet se i kishte prishur 2 martesa motrës së vëllezërve të cilët janë të arrestuar si të dyshuar për ngjarjen. Dyshohet gjithashtu se ai kishte shpërndarë disa video intime që kishte gjatë marrëdhënies me të. Kjo kurrsesi nuk e justifikon vrasjen.
Mentaliteti i zonës, 2 vëllezërit janë detyruar të shkojnë deri në aktin ekstrem për shkak të presionit për shkak se në atë zonë ku ata jetonin, flitej gjatë gjithë kohës vetëm për motrën e tyre. Presioni që shkoi nga mentaliteti tek ata, presioni që shkoi nga shoqëria tek ata, në njëfarë mënyre u bë shkaktare për ngjarjen.
Ajo që shoh me shqetësim ka të bëjë me faktin se Shkodra është një zonë me problematika dhe kjo ngjarje mund të ndezë më pas edhe konfliktet mes 2 familjeve. Vëmendja e autoriteteve duhet të jetë më e shtuar për të parandaluar ngjarje të tjera në të ardhmen. Imagjinoni… Ata jetojnë në një distancë shumë të afërt, kanë nxjerrë motrën e tyre nga shtëpia dhe prej 3 vitesh nuk e kanë pranuar në shtëpi. Kanë vrarë tjetrin dhe imagjinoni sa i fortë është konflikti dhe presioni mes tyre.
Sjellim në vëmendje se Ramazan Mataj u gjet i vrarë në automjetin e tij “Mercedes-Benz” mëngjesin e 5 Janarit. Në makinë, policia i gjeti viktimës dy celularë, njëri prej të cilëve pa kartë, ku hetuesit gjetën mesazhe që vëllezërit Hasaj i kishin dërguar atij për ta nxjerrë në pritë./tvklan.al