Apeli ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkodrës për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për 2 vëllezërit Arjon dhe Klisman Hasaj. Dy të rinjtë akuzohen për vrasjen e Ramazan Mataj në fillim të muajit Janar në Dragoç të Shkodrës.

“Arjon Hasaj i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Klisman Hasaj, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, thuhet në vendimin e Apelit.

Më herët, Arjon Hasaj ka pranuar vrasjen para grupit hetimor, duke thënë se 33-vjeçarin Mataj e vrau për shkak se sipas tij, i kishte shkatërruar 2 martesa motrës së tij.

Ramazan Mataj u gjet i vrarë në automjetin e tij “Mercedes-Benz” mëngjesin e 5 Janarit. Në makinë, policia i gjeti viktimës dy celularë, njëri prej të cilëve pa kartë, ku hetuesit gjetën mesazhe që vëllezërit Hasaj i kishin dërguar atij për ta nxjerrë në pritë./tvklan.al