Një ditë pas vrasjes së 14 vjeçarit në Tiranë, policia arreston autorin e krimit në spitalin privat, ku po kurohet për plagën që mori gjatë konfliktit.
Ndaj 15-vjeçarit rëndojnë dy vepra penale: “Vrasja me dashje e kryer ndaj të miturit” dhe “Prodhimi, mbajtje pa leje e armëve të ftohta”.
Në rrjetet sociale autori ka treguar me krenari pak minuta pas krimit, thikën me të cilin vrau bashkëmoshatarin. Në video shfaqet dhe dora e tij e fashuar. Këto postime kanë sjellë reagimin e ashpër në komente të shokëve të viktimës.
Nxënësi 14-vjeçar u godit me thikë pranë shkollës 9-vjeçare ‘Fan Noli’ pas një zënke që kishin pasur ditën e premte. Klan News mësoi se ata janë konfliktuar fizikisht edhe ditën e krimit në shkollë.
Sherri ndodhi gjatë pushimit të gjatë mes orëve të mësimit. Roja e shkollës ka arritur t’i ndajë, por vetëm kaq. Sherri i tyre rinisi pas mbarimit të orës së gjashtë.
Gjithashtu në këtë sherr mbeti i plagosur me thikë dhe shoku i viktimës, i cili ishte lajmëruar më herët për sherrin. Ai erdhi nga një shkollë tjetër që ndodhet në Sauk.
Mjekët thonë se ai ka një plagë në kraharor dhe ndodhet në gjendje të stabilizuar në Spitalin e Traumës. I plagosur lehtë në dorë mbeti edhe vetë agresori, i cili po trajtohet në një spital privat në Tiranë.
Klan News