Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka zhvilluar një video konferencë me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së në Tiranë. Mësohet se Xhaçka ka falënderuar ambasadorët për mbështetjen dhe vullnetin e tyre për një bashkëpunim të frytshëm. Pjesë e diskutimeve mes tyre ka qenë integrimi i Shqipërisë në BE.
“Shkëmbyem pikëpamjet tona rreth këtij viti vendimtar për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Falënderova ambasadorët për gatishmërinë dhe vullnetin e tyre të mirë për një bashkëpunim të frytshëm”, thotë Xhaçka.
Xhaçka thotë se Shqipëria i ka përmbushur kushtet të gjitha dhe mbetet optimiste që BE-ja do t’i qëndrojë fjalës së saj për kornizën negociuese dhe caktimin e Konferencës Ndërqeveritare.
“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është anëtarësimi në BE. Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet. Mbetemi optimistë që BE do t’i qëndrojë fjalës së saj duke arritur në një kompromis për kornizën negociuese dhe duke caktuar një datë për Konferencën e Parë Ndërqeveritare gjatë 2021”, shprehet Xhaçka./tvklan.al