Pjesëmarrje masive në procesin e votimit hershëm për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, që nisi të martën në Xhorxhia. Autoritetet vendase thanë një shifër rekord votuesish iu drejtuan kutive të votimit të martën mbi 251 mijë votues, gati dyfishi i 2020-ës. Këtë herë, votuesit nuk u përballën me vonesa dhe radhë të gjata si 4 vite më parë. Ky shtet numëron 8.2 milionë votues. 

Xhorxhia renditet mes shteteve të luhatshme sa i përket mbështetjes, ndonesë kandidatët demokratë kanë fituar në këtë shtet vetëm 2 nga 10 zgjedhjet e 4 dekadave të fundit, përfshirë atë të 2020-ës kur Bajden fitoi me një epërsi tepër të ngushtë, 0.2%. Sondazhet aktuale parashikojnë fitoren e Donald Trampit. Rezultatet e zgjedhjeve të së martës, ashtu si në 9 shtetet e tjera, ku po ashtu mbahet votim i hershëm këtë javë nuk publikohen para 5 Nëntorit, datës zyrtare të zgjedhjeve. Këtë të Martë votohet në Ajova, Kansas, Tenesi e Rod Ajllend.

Një gjykatës në Xhorxhia pezulloi të Martën, numërimin me dorë të votave, siç u vendos në 2020-ën me kërkesë të Donald Trampit, i cili pretentonde manipulime votash përmes procesit elektronik. Gjykatësi argumentoi vetëm se numërimi me dorë për momentin shkakton paqartësi. Zgjedhjet e hershme u japin një datë alternative votuesve të hedhin votën e tyre, që nuk munden në ditën zyrtare.

Tv Klan