Talenti i Barcelonës, Lamine Yamal, ka treguar se do të firmosë së shpejti rinovimin me klubin blaugrana.

Së fundmi ka pasur spekulime për të ardhmen e adoleshentit, që pavarësisht moshës, është kthyer në një titullar të padiskutueshëm te katalanasit.

Në një intervistë për CNN, Jamal u shpreh se se do të hedhë firmën në letër së shpejti.

“Nuk e di se kur, por besoj shpejt! Në fund të fundit, Barcelona është klubi i jetës sime! Shpresoj që të rinovoj e te jem blaugranas sa më gjatë të jetë e mundur! Dua të luaj në kampionatin spanjoll, dua të luaj me Barcelonën”.

17-vjeçari tregon edhe për punën me trajnerin Hansi Flik dhe për pritshmëritë për vitin 2025.

“Stili i lojës së ekipit është ndryshe tani që në stol është ulur Hansi Flik. Jemi përpjekur që të përshtatemi në kërkesat e tij. Mendoj se po bëjmë mirë! Në vitin 2025 do të përpiqemi të japim maksimumin që të fitojmë trofe, e shpresoj që gjërat të shkojnë sa më mirë për ne! A do të fitojmë kampionatin? Sigurisht që po”.

Problemet financiare të Barcelonës vazhdojnë që ta trazojnë klubin e të shtojnë spekulimet për të ardhmen e yjeve.

Por vetë Jamal është i qartë për të ardhmen e tij, ai nuk e mendon veten me asnjë fanellë përveç asaj blaugrana.

Klan News