Samiti i Tiranës për “Open Balkan” është i fundit për Zoran Zaev si kryeministër. Ai tha gjatë konferencës për shtyp se kjo është dita e tij e fundit si kreu i qeverisë së RMV. Zaev u shpreh se së bashku me dy homologët e tij, të cilët i konsideron miq dhe vëllezër, kanë nxjerrë në pah faktin se Ballkani i Hapur është proces autentik gjithëpërfshirës që ka nisur nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Po ashtu, Zaev i bëri ftesë vendeve të tjera që nuk janë bërë ende pjesë e nismës.

“Kjo është dita ime e fundit në detyrë si kryeministër i RMV. Nder që marr pjesë drejtpërdrejtë dhe kontribuoj në zbatimin e misionit fisnik të Ballkanit të Hapur si nismë. Qysh prej fillimit të nismë, unë dhe kolegët e mi, miqtë dhe vëllezërit e mi, Aleksandër Vuçiç dhe Edi Rama kemi nxjerrë në pah faktin që Ballkani i Hapur është një proces autentik gjithëpërfshirës që ka nisur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia dhe është i hapur për të gjitha vendet e rajonit. Të gjitha vendet që kanë mbetur në rajon kanë një ftesë të hapur, të qartë dhe të pa ekuivok për t’u bërë pjesë.

Ne lidhemi me qëllimin e qartë që njerëzit tanë të ndjejnë përfitime të drejtpërdrejta ekonomike nga ato që lehtësojmë këtu. Kjo shënon dhe hapa të mëtejshëm për evropianizimin e vendeve tona dhe zbatimin e këtyre praktikave në vendet tona sepse jemi Evropë. Kur Vuçiçi dhe Rama së bashku me mua, skicuam vizionin e Ballkanit të Hapur ramë dakord që të mos lejojmë mbizotërimin e euroskepticizmit në vendet tona për shkak të dështimit të politikave evropian. Vlerat dhe idealet europiane do të jenë gjithmonë më të mëdha, gjithmonë e më tërheqëse se sa administrata evropiane. Ballkani i Hapur është një kontribut i vlerave dhe idealeve të BE-së. Ne kemi për detyrë të ndërmarrim nisma që evropianizojnë rajonin dhe sjellin një jetë më të mirë dhe më evropiane për vendet tona. Për kaq kohë kemi theksuar që Ballkani i Hapur nuk është zëvendësues i BE, por lehtësues i idesë europiane në Ballkan. Ballkani është Evropë dhe asgjë më pak se kaq”, tha Zaev.

Kryeministri Zaev u shpreh ndër të tjera se marrëveshja për qasjen e lirë në tregun e punës janë mbështetur në parimin e BE-së./tvklan.al