Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, së bashku me Ministrin e Jashtëm, Bujar Osmani dhe ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe, kanë shkuar në Bullgari, aty ku aksidenti tragjik me autobus i mori jetën 45 turistëve nga Maqedonia e Veriut, ndërsa 7 të tjerë mbetën të plagosur.

“Jam në kontakt me kryeministrin Stefan Janev, i cili tashmë ka vizituar njerëzit. Pata mundësinë të bisedoja me një nga të mbijetuarit. Ai shpjegoi se ata ishin duke fjetur në autobus kur u dëgjua një shpërthim i fortë. Ata kanë mundur të thyejnë njërin nga xhamat dhe të shpëtojnë disa persona. Fatkeqësisht, të tjerët nuk ia arritën. Është një tragjedi e tmerrshme. Shumica prej tyre – 12 – janë fëmijë nën 18 vjeç, dhe të tjerët janë të rinj rreth 20-30 vjeç. Shumica prej tyre janë shtetas tanë, por ka edhe nga Serbia”, tha Zaev.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani u shpreh se shumica e viktimave janë nga Shkupi, të cilët po ktheheshin nga Turqia ku kishin shkuar për një vizitë treditëshe në Stamboll.

“Sipas të dhënave të para që kam, bëhet fjalë për një agjenci turistike nga Shkupi, dhe shumica e viktimave janë nga Shkupi. Në mesin e tyre ka më shumë se dhjetë fëmijë, por kishte edhe shumë të rinj tjerë që po kishin shfrytëzuar pushimin e zgjatur, pasi të hënën ishte ditë feste”, tha Osmani./tvklan.al