Mickoski: Zaev nuk e ka kuptuar mesazhin e qytetarëve
Jotransparenca e disa kryebashkiakëve, reformat jo të mjaftueshme dhe mosçelja e negociatave me BE-në, janë disa nga arsyet që kanë detyruar rreth 35.000 mbështetës së LSDM-së të mos votojnë, ose të mbështesin kandidatët e pavarur. Kështu ka deklaruar numri një i LSDM-së Zoran Zaev duke nënvizuar se ka kuptuar mesazhin e qytetarëve, që sipas tij, LSDM-në e kanë ndëshkuar me ‘karton të verdhë’ në rrethin e parë të zgjedhjeve.
“Mesazhi i parë për miqtë e mi të partisë është se kemi marrë ‘karton të verdhë’ nga qytetarët. Sa do ta dëgjojmë zërin e tyre, varet nëse do të bëhet ‘kartoni i kuq’. Qytetarë të nderuar me fytyrë të pastër dëshiroj të kërkoj nga ju t`i jepni shans vendit dhe shoqërisë të vazhdojnë drejt së ardhmes, në vend se t`i kthehen të kaluarës”.
Por kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski thekson se Zaev vetëm po e përsërit konferencën e njëjtë për media të vitit të kaluar. Ai tha se Zaevi s`ka thënë asgjë të re përveç se sërish është prononcuar për të kaluarën, për njëfarë regjimi, për floskulat e njëjta, që siç tha, askush nuk i beson.
“Zoran Zaevi vetëm është duke e përsëritur konferencën e njëjtë të vitit të kaluar, kur gjithashtu gënjente se ka kuptuar mesazhin, kurse vazhdoi të sillet në mënyrë arrogante dhe kriminale. Përsëriti edhe konferencën e një viti më parë kur e pohonte të njëjtën dhe sërish zhgënjeu. Zaevi fitoi fshesën me të cilën asgjë nuk fshiu”.
Në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale, opozitarja VMRO-DPMNE fitoi mbi 20 komuna kundrejt 9 nga LSDM-ja dhe është në avantazh me mbi 50 mijë vota. Socialdemokratët kanë bërë thirrje për unitet dhe mobilizim për të përmbysur rezultatin zgjedhor në rrethin e dytë.
Klan Macedonia