Emira Selimi është vetëm 25 vjeçe, por ka një dashuri të madhe për atdheun dhe dashurinë. Edhe pse me rezultate të shkëlqyera, ajo ia ka dedikuar veten plotësisht hapjes së bibliotekës shqipe në Manastir duke u mësuar dashurinë për librin fëmijëve të vegjël. Të gjitha këto na i rrëfeu në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan miku i saj, Alfredi që e ka ftuar në “Ka Një Mesazh Për Ty”.
Sigurisht që Emira nuk është aspak në dijeni dhe deri më tani ka pasur disa hamendësime, por pa mundur ta zbulojë. Ajo tregon se ka pyetur edhe të fejuarin, i cili s’është emër i panjohur për publikun. Molos Parthini është mik i Ballist Morinës dhe personi tjetër që ngriti dronin me flamurin me simbolet kombëtare në ndeshjen Shqipëri-Serbi në Beograd. Emira thotë se e ka pyetur nëse qëndron ai pas surprizës, por e ka mohuar.
Ardit Gjebrea: I fejuari s’të ndihmoi fare të të tregojë se kush të ka ftuar?
Emira: Ah Molos, ç’më bën! Unë thoja mos vallë do të më bësh ndonjë surprizë në publik, para Arditit, po tha “s’kam lidhje me të”.
Ardit Gjebrea: Çfarë natyre është ai?
Emira: Molosi? Edhe pse është personazh publik, pasi historinë e Molosit besoj e dini të gjithë, ai ka ngritur dronin në Beograd bashkë me Ballistin, por nuk e preferon shumë publikun prandaj nuk më ka shkuar mendja.
Ardit Gjebrea: Mos na ka sjellë ndonjë flamur këtu, nga muri? Hë mo Molos?
Emira: Ai punon me dronë dhe ndoshta e ka sjellë.
Ardit Gjebrea: Ndonjë dron këtu?
Emira: Ndoshta.
Ardit Gjebrea: E do shumë Molosin?
Emira: Shumë e dua. Ka qenë bashkëpunëtori im më i afërt dhe ka rrezikuar shumë për mua, në atë qytet të shkronjave ku ka qenë shumë e rrezikshme situata derisa u hap biblioteka që edhe tani ne rreziqet i shohim çdo ditë në atë qytet, por ka qenë gjithmonë afër meje. E dua shumë./tvklan.al