Dy të rinjtë u qëlluan sapo dolën nga lokali
Hetimet e policisë kane zbardhur dinamikën e atentatit të ndodhur mbrëmjen e të premtes në Peqin, ku mbeti i vrarë Andi Zylyfi 26 vjeç dhe u plagos shoku i tij Ardit Uruçi 23 vjeç.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se viktima dhe miku i tij janë qëlluar me breshëri automatiku sapo kanë dalë nga një lokal dhe kanë hipur në makinën e tyre.
Hetuesit kanë parë pamjet e kamerave të sigurisë së disa bizneseve, të cilat kanë filmuar momentin kur atentatorët i janë afruar makinës së viktimës dhe kanë qëlluar me kallashnikov.
Më pas ata janë larguar me shpejtësi me një makinë në drejtim të Rrogozhinës, ku edhe kanë humbur gjurmët.
Atentatorët kanë qenë të pamaskuar, por mbanin kapele. Policia gjeti në vendin e ngjarjes 14 gëzhoja kallashnikovi.
Hetuesit thonë se viktima është mbajtur nën vëzhgim nga personat që kanë organizuar atentatin, çka ngre dyshime se dy vrasësit kanë pasur bashkëpunëtorë të tjerë që kanë parë lëvizjet e Zylyfit dhe mikut të tij.
Pista kryesore e hetimit është ajo e hakmarrjes për shkak të lidhjeve familjare që viktima 26-vjeçar Zylyfi kishte me Endrit Alibeaj, i cili u ekzekutua një vit më parë në rrethrrotullimin e Bradasheshit bashkë me dy shtetas të tjerë.
Tv Klan