Banorët në lindje të Rusisë kanë mbetur të tronditur, kur kanë gjetur një çantë që mbante 27 palë duarsh njeriu të sharruara. Zbulimi u bë në qytetin Kabarovsk të Siberisë, në afërsi të kufirit me Kinën. Një banor gjeti një nga duart në breg të lumit dhe më pas çantën, në afërsi të një pikë peshkimi.
Pavarësisht kësaj, njerëzit thanë se nuk kishin parë ndonjë lëvizje të dyshimtë në zonë. Identiteti i personave të cilëve u përkisnin duart mbetet mister, ashtu si dhe motivet përse ato janë prerë. Sipas raportimeve të “Siberian Times”, gjurmë gishtash u gjendën vetëm tek një prej duarve, ndërsa të tjerat po kontrollohen nëse prej tyre mund të rekuperohet diçka.
Ndërkaq, mes banorëve kanë nisur të qarkullojnë teoritë e komplotit. Njëra prej tyre sugjeron se duart janë prerë me sëpatë si ndëshkim për vjedhje. Një tjetër se u janë prerë trupave të vdekur në spital, por nuk dihet përse. E treta dhe më e frikshmja është që trupat të jenë përdorur fillimisht për marrjen e organeve me qëllim trafikimi dhe duart u janë prerë për të parandaluar identifikimin më pas.
/abcnews.al