Dyshohet se furnizonte grupet kriminale, arrestohet pronari i banesës
Një tjetër banesë që dyshohet se shërbente si bazë për ruajtjen e armëve, është zbuluar nga policia në fshatin Sukth. Nga kontrolli i banesës së Adem Salillarit, policia gjeti 1 armë zjarri kallashnikov, 1 granatë, ndezës granate, 1 palë dylbi snajperi, krehër arme, 1 rrip ushtarak me fishekë dhe mijëra fishekë të tjerë të kalibrave të ndryshme.
Arsenali i armëve, dyshohet se do t’i vihej në dispozicion grupeve kriminale në zonën e Durrësit.
Baza e armatimeve, zbulohet dy ditë pas armëve që u gjetën në Shkallnur të Durrësit. Gjatë operacionit të fundjavës policia sekuestroi 4 kallashnikovë, 20 krehra dhe një sasi e madhe fishekësh, që u gjetën në një banesë të pabanuar dhe gjysmë të ndërtuar.
Për këtë rast policia arrestoi Hekuran Troplini dhe Emiliano Pasha, të cilët dyshohet se armët do ua shisnin grupeve kriminale. Dy të rinjtë u njohën të hënën me masën e sigurisë arrest në burg, nga gjykata e Durrësit.
Për bazat e armatimeve, reagoi edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla. Në rrjetet sociale, Balla teksa përgëzoi policinë, shkruan se goditja e këtyre grupeve kriminale, apo arrestimi i personave që qarkullojnë me armë janë detyrë kryesore për uniformat blu.
Klan News