Policia e Durrësit ka arrestuar 6 persona dhe ka proceduar penalisht një tjetër, pasi akuzohen se në bashkëpunim ose individualisht ushtronin veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike në doza dhe të vjedhjes.

Sipas asaj që bën të ditur policia në kuadër të këtij operacioni, u kapën dhe u vunë në pranga personat: F. M., 27 vjeç, banues në Shijak, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Durrësit i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”; A. I., 34 vjeç, banues në Shijak, i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim; si dhe L. R., 46 vjeç, banues në Shijak, A. Gj., 38 vjeç, banues në Durrës, S. S., 21 vjeç, banues në Manzë dhe F. Xh., 40 vjeç, banues në Durrës.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. Sh., 36 vjeç, banues në Kavajë, dhe u shpall në kërkim një shtetas 17 vjeç, banues në Durrës.

Nga veprimet hetimore dyshohet se F. M. dhe A. I., në bashkëpunim me L. R., A. Gj. dhe 17-vjeçarin, në datat 15 dhe 18 Shkurt, kanë vjedhur çadra plazhi dhe shezlongë në një lokal në Sektor Rinia, dhe më pas i kanë shitur në dyqanin e E. Sh., në Kavajë.

Ndërkohë F. M., gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në banesë, i janë gjetur dhe sekuestruar 46 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis, disa doza të kësaj lënde dhe 1 peshore elektronike.

Po ashtu personit S. S., gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, që e posedonte me qëllim shitjen në afërsi të shkollave, ndërsa shtetasit F. Xh. iu gjetën doza kokaine dhe kanabisi që i posedonte me qëllim shitjen në lagjet e Durrësit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme./tvklan.al