“Skuadra ka dalë me kokën lart”, kështu është shprehur gjatë një bisede në studion e Klan News me Viola Spiron, zëdhënësi i FSHF, Fatjon Kodra. Ëndrra e kuqezinjve për t’u kualifikuar në fazën e grupeve mbeti e parealizuar, pas humbjes 1-0 më Spanjën.
E konsideruar si “Hirushja”e kësaj Euro2024 Shqipëria përsëri nuk zhgënjeu, edhe pse pësoi humbje ajo arriti që të shënojë rekorde në shënimin e golave pas sekonda nga fillimi i ndeshjes, por edhe kur është në limite të kohës si në rastin e sfidës me Kroacinë. Performanca e kuqezinjve në fushat e gjelbërta në stadiumet e Gjermanisë është konsideruar dinjitoze.
Zëdhënësi i FSHF u shpreh gjithashtu se trajneri, futbollistët dhe i gjithë stafi teknik ka punuar me “mish e me shpirt” për të qenë në nivelet e duhura të këtij Europiani, teksa shtoi se tashmë fokusi i Kombëtares Shqiptare është Botërori.
“Qoftë edhe pjesa e fazës përgatitore që u zhvillua në Austri, qoftë edhe pjesa e Gjermanisë është bërë një punë kolosale. Punë që kishte nisur muaj më përpara me të gjitha kërkesat e stafit teknik, me vëzhgimet në terren dhe skuadrës i është krijuar infrastruktura e duhur për të punuar sa më qetë dhe sa më mirë. Është bërë një punë shumë e mirë qoftë nga Sylvinho, qoftë stafi teknik, kanë bërë një punë fantastike. Është punuar “me mish e me shpirt”, në çdo orë dhe në çdo kohë. Nuk kishte pushim në asnjë moment të gjithë ishin duke punuar, qoftë edhe djemtë, ata kanë punuar shumë mirë. Faktikisht ishim përgatitur goxha për të qenë në nivelin e duhur të këtij kompeticioni. I gjithë grupi pothuajse janë lojtarë që luajnë në nivele të larta, në nivele të mira. Megjithatë nivelet e Europianit janë kompeticione të vështira, unë personalisht e vendos në të njëjtin nivel me Botërorin, sepse dihet që Europa është niveli më i lartë i futbollit. Janë ekipe që edhe në Botëror janë gjithmonë pretendente për të fituar dhe tre prej tyre ne i kishim ne grup.
Fakti që ne kemi mundësi të luajmë në nivele të tilla, e ndihmon shumë Kombëtaren Shqiptare që të rritet. Duhet të kemi parasysh që kemi një skuadër pak a shumë të re në moshë. Kemi lojtarë si Mitaj, Asllani, Hoxha, Daku, Broja apo Muçi dhe Nedim Bajrami, kështu që kemi një grup goxha të ri. Duke luajtur në nivele të tilla ne na ndihmon shumë që në kompeticionin e ardhëm apo në National Slige, ku një prej objektivave është për t’u ngjitur në fazën A. Por sigurisht objektivi kryesor është kualifikueset e Botërorit dhe duke marrë eksperiencë ky grup ka mundësi të mira. Për t’u kualifikuar në Botëror e para duhet të bëjmë një Nations League e cila fillon në Shtator, kemi Ukrainën me Gjerogjinë dhe Republikën Çeke. Sigurisht në rastin e një renditjeje të mirë më Nations League do kemi mundësi siç i kishte Polonia herën e fundit. Eksperienca e marrë nga një kompeticion madhor siç është Euro2024 besoj se do e ndihmojë shumë skuadrën për të arritur cilësinë, objektivat dhe lojën,” tha Kodra.
Perfomanca e ekipit të kombëtares, por veçanërisht ajo e tifozëve kuqezi tërhoqën vëmendjen e të gjitha mediave të huaja. Në të treja ndeshjet e Shqipërisë rrugët e Gjermanisë gumëzhinin nga zëra, këngë dhe veshje shqiptare. Fatjon Kodra nuk nguroi të shprehë falënderimet për tifozët, duke e konsideruar mahnitëse mbështetjen e kuqezinjve për skuadrën e tyre të zemrës.
“E pabesueshme ishte në fakt që në momentin kur u futëm në fushë dhe pamë atë stadium në Dortmund që ishte i mbushur me tifozë, “të rrëngjethej mishi” sepse kishte aq shumë tifozë kuqezi. Edhe ata kanë bërë një paraqitje fantastike. Brenda stadiumit kanë patur një perfomancë të shkëlqyer, por edhe jashtë stadiumit edhe nëpër rrugët e Dortmundit, Gjermanisë, pra ishte diçka fantastike,” tha gjatë fjalës së tij zëdhënësi i FSHF, Fatjon Kodra.
/tvklan.al