Kryeministri Edi Rama mikpriti sot Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskyy në vizitën e tij të parë në Shqipëri, si bashkëorganizator i Samitit “Ukrainë – Europa Juglindore” që zhvillon sot punimet në Tiranë me pjesëmarrjen e liderëve  nga  Europa  Juglindore dhe Ballkani Perëndimor, në një takim solidariteti e angazhimi të mëtejshëm të demokracive të vendeve kundër agresionit rus, ku do të diskutojnë se si mund të punojnë së bashku dhe të ofrojnë mbështetjen për Ukrainën, si dhe të kontribuojnë në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë dhe Evropës.

Presidenti Zelenskyy u prit nga Kryeministri Rama në orën 09:00 në godinën e qeverisë shqiptare.

Kryeministri i bëri një tur Presidentit Zelensky në ambientin e tij të punës si dhe i dhuroi një album me piktura të tij.

Më pas, Rama-Zelenskyy zhvilluan një takim kokë më kokë në zyrën e Kryeministrit, për të vijuar me takimet mes delegacioneve.

Pas takimit mes tyre dhe delegacioneve përkatëse, Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kanë nënshkruar “Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit mes Republikës së Shqipërisë dhe Ukrainës”.

Traktati i shërben konsolidimit të miqësinë mes dy vendeve dhe popujve, përmes zgjerimit dhe forcimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë.

Në nisje të ceremonisë së nënshkrimit, Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky i dorëzoi Kryeministrit Rama Urdhërin e Princit Jaroslav i Urti, për kontributin e jashtëzakonshëm personal, gjithashtu edhe për mbështetjen.


Kryeministri Rama surprizon Presidentin Zelensky, i dhuron album me pikturat e tij

Në pritjen që i bëri Presidentit Zelensky në Kryeministri, Rama i dhuroi atij një album me pikturat e krijuara nga vetë Kryeministri. Më pas, Kryeministri Rama dhe Presidenti Zelenskyy nisën një takim kokë më kokë, në zyrën e Kryeministrit Rama, që vijon me takimin mes dy delegacioneve të Shqipërisë dhe Ukrainës.



AXHENDA

Në orën 11:00 do të bëhet mbërritja e liderëve të shteteve në Pallatin e Kongreseve. Mes tyre do të jenë Presidentja e Kosovës, ai i Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, etj. Ndërsa krerët e shtetit të Turqisë, Greqisë, Rumanisë dhe Bullgarisë do të adresojnë fjalën e tyre nëpërmjet një videomesazhi.

Në orën 11:30, Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy do të mbajnë fjalët hapëse të sesionit.

Në orën 13:00 do të bëhet foto familjare.

Kurse në orën 13:30, ​​Kryeministri Rama dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp. 


Zelensky: Sot në Tiranë, me mikun e palëkundur të Ukrainës, Kryeministrin Rama

Para takimit me Kryeministrin Edi Rama në Tiranë, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka shkruar në rrjetet sociale se sot merr pjesë në samitin Ukrainë-Europa Juglindore.

“Sot punoj në Tiranë. Do të takoj mikun e palëkundur të Ukrainës, Kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe do të marr pjesë në samitin Ukrainë-Europa Juglindore. Në bisedimet dypalëshe me Kryeministrin dhe stafin e tij, do të diskutojmë për mbrojtjen dhe bashkëpunimin politik, mbështetjen për Formulën e Paqes dhe marrëveshjet e sigurisë. Shqipëria është një nga vendet që ka nënshkruar Deklaratën e Vilniuesit të G7, që ne e vlerësojmë shumë.

Do të diskutojmë për rrugën tonë të përbashkët euroatlantike në samitin Ukrainë-Europa Juglindore, që mbahet për herë të dytë. Do të propozoj mbështetjen e përpjekjeve të Ukrainës për të arritur paqen, si dhe organizimin e Samitit Global të Paqes në Zvicër.

Do të zhvilloj bisedime dypalëse edhe me pjesëmarrësit në samit”, ka shkruar Presidenti ukrainas në rrjetet sociale.




/tvklan.al