Zemërim i kthyer në dhunë. Skena të regjistruara në qytetin Koçani të Maqedonisë së Veriut. Pas tragjedisë me 59 të vdekur, protestuesit hodhën gurë dhe thyen dritaret e një lokali në pronësi të të njëjtit person që zotëronte edhe klubin e natës ku ra zjarri vdekjeprurës. Më herët, qytetarët e revoltuar marshuan nga parku i qytetit, ndërsa më pas vazhduan para Prokurorisë dhe Gjykatës Themelore të Koçanit. “Kërkojmë drejtësi” dhe “vrasës” ishin thirrjet e qytetarëve. Protesta u zhvilluan edhe para banesës së kreut të Komunës së Koçanit Lupço Papazov, i cili më herët gjatë ditës dha dorëheqjen. Qytetarët hodhën gurë dhe vezë në drejtim të banesës.

Zyrtarët thanë se licenca e klubit të natës “Pulse” ishte marrë në mënyrë të paligjshme dhe se aty mungonin sistemet kundër zjarrit dhe daljet e emergjencës. Autoritetet kanë arrestuar rreth 20 persona në lidhje me zjarrin, duke përfshirë zyrtarë dhe menaxherin e klubit të natës.

Situata më e qetë në kryeqytetin maqedonas ku qytetarët u mblodhën në qendër për të përkujtuar viktimat. U ndezën qirinj dhe u vendosën lule. Disa mbanin edhe fotografi të atyre që humbën jetën.

Zjarri shpërtheu gjatë një koncerti rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës kur shkëndijat ndezën një pjesë të tavanit. Qindra njerëz u përpoqën të largohen nga dalja e vetme e lokalit të palicencuar ndërsa flakët u përhapën në çati.

Në varrezat lokale të Koçanit u hapën varre të reja për viktimat. Punëtorët nxitonin për hapur me buldozerë varret e nevojshme, në një qytet të vogël ku shumica i njohim të gjithë ata që kanë humbur fëmijët.

“Është një ndjenjë e tmerrshme,” tha Ridvan Selami, i ardhur këtu nga komuna fqinje e Kumanovës për të ndihmuar.

Klan News