Këto janë momentet kur dhjetëra të rinj në shenjë zemërimi shkatërrojnë lokalin e dytë në pronësi të pronarit të diskos  “Pulse” në Koçan, ku nga zjarri humbën jetën 59 persona dhe u plagosën mbi 155 persona.

Indinjata e tyre për ngjarjen tragjike është tejet e madhe, ndërsa protesta e tyre u zhvendos para Prokurorisë dhe Gjykatës në Koçan.

Thirrjet e tyre ishin “vrasës” dhe “duam drejtësi”. Qytetarët, mes të cilëve edhe shumë të rinj, shprehen se duan drejtësi për të afërmit e tyre që humbën nga zjarri dhe se fajtorët të marrin dënimin që meritojnë.

“Shumë fëmijë vdiqën këtu për shkak të atij korrupsioni. Ne nuk e duam korrupsionin këtu. Kishim kaq shumë miq që humbën jetën! Kisha kaq shumë miq”, tha një fëmijë.

“Kam mësuar se ky klub nate ka funksionuar pa standarde. Nuk kishte një licencë të rregullt dhe njerëzit po fitonin para. Kush është përgjegjës?”, tha Sasha Djeniç, babi i një të mbijetuare.

Protesta pati edhe në Shkup nga nxënës të shkollave të ndryshme.

Kryetari i komunës së Koçanit, Lupço Papazov nga VMRO-DPMNE dha dorëheqjen një ditë pas tragjedisë duke u shprehur se arsyet ishin morale. 

Kryeprokurori, Lupço Kocevski, beri të ditur se tha se janë angazhuar 9 prokurorë në hetimin e tragjedisë dhe se po procedohen 14 persona për këtë ngjarje.

Kryeministri Hristijan Mickoski, pas daljes nga spitali duke e cilësuar si vrasje masive reagoi ashpër ndaj opozitës duke kërkuar që të mos e politizojnë këtë çështje, e cila ka kërkuar përgjegjësi duke nënkuptuar edhe dorëheqje.

“Nuk do të ketë mëshirë. Kushdo le të jetë, prej çfarëdo përkatësie etnike le të jetë dhe prej cilësdo parti le të jetë. Ajo çfarë ka ndodhur është më shumë se krim, kjo është do të thosha vrasje masive, të cilën dikush e ka lejuar për para, për ryshfet, për korrupsion që të ndodhë”, tha ai.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari tha se gjendja e të plagosurve është e qëndrueshme dhe se vetëm 14 prej tyre janë në gjendje më të rëndë. 9 prej të lënduarve u dërguan këtë të hënë në Turqi ndërsa të tjerë janë transferuar në Bullgari, Serbi, Greqi, Hungari dhe Lituani.

Maqedonia ka shpallur shtatë ditë zie për këtë tragjedi. Edhe shtete si Bullgaria, Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina dhe Serbia kanë shpallur nga 1 ditë zie në nderim të 59 viktimave të kësaj tragjedie.

Tv Klan