Flamujt në gjitha institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut u ulën në gjysmë shtize këtë të hënë për të respektuar vendimin e qeverisë për të shpallur 7 ditë zie për tragjedinë e Koçanit, ku humbën jetën 59 persona dhe u plagosën rreth 155 të tjerë.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari tha se gjendja e të plagosurve është e qëndrueshme, teksa mëngjesin e kësaj të hëne 9 prej tyre mbërritën për një trajtim të specializuar në Turqi, 3 prej të cilëve do të kurohen në Stamboll dhe 6 të tjerët në Ankara.
Dhjetëra pacientë të tjerë u transferuan në Bullgari, Serbi, Greqi, Hungari dhe Lituani.
Sa i përket viktimave, të 59 trupat janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku po kryhet autopsia si dhe identifikimi i tyre. Autoritetet shtetërore thanë se janë duke punuar në faza dhe sa më shpejt që familjarët të marrin trupat e viktimave.
Ekipi i prokurorëve që po punon në hetimin për përcaktimin e shkaqeve të fatkeqësisë në Koçan është zgjeruar në 9, ndërkohë që autoritetet kanë identifikuar rreth 20 persona si përgjegjës për tragjedinë, nga të cilët rreth 15 janë janë ndaluar nga policia.
Mes tyre janë edhe menaxheri i lokalit të natës si dhe disa ish-zyrtarë të lartë të cilët dyshohet se kanë firmosur lejen e paligjshme për funksionimin e këtij biznesi.
Tragjedia ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës në një lokal nate në qytetin e Koçanit, teksa shkëndijat fishekzjarrëve të ndezura në skenë i vunë flakën tavanit dhe duke futur në panik mbi 500 persona që po ndiqnin performancën e grupit muzikor DNK.
Tv Klan