Dy gazetarë italianë të cilët shkaktuan zemërimin e Moskës pas një raportimi televiziv nga zonat e kontrolluara nga forcat ukrainase në rajonin rus të Kursk-ut do të kthehen në Itali, tha rrjeti RAI të shtunën.
Ministri i Jashtëm rus thirri ambasadorin italian të premten mbi atë që e cilësoi kalim të paligjshëm të kufirit nga ana e ekipit të gazetarëve të RAI-t.
“Kompania vendosi që gazetarja Stefania Battistini dhe kameramani Simone Traini të kthehen përkohësisht në Itali, për arsye të sigurisë së tyre personale”, tha Rai.
Agjencia shtetërore ruse e lajmeve njoftoi se Shërbimin Federal i Sigurisë, FSB, kishte hapur hetime ndaj gazetares dhe kameramanit.
Ekipi televiziv i rrjetit RAI, prej 4 anëtarësh, të shoqëruar nga ushtria ukrainase, ishin të parët nga mediat e huaja që raportuan nga qyteti rus Sudzha, i dëmtuar nga lufta, i cili u more nën kontroll gjatë sulmit të papritur ukrainas në rajonin Kursk.
Dy gazetarët pritet të kthehen në Milano të dielën.
As gazetarja Battistini, e cila raportoi drejpërdrejt nga Kievi të shtunën për programin “TG1News” dhe as kameramani Traini, nuk iu përgjigjën një kërkese për të komentuar.
Ministria e Jashtme e Italisë tha se ambasadorja Cecilia Piccioni u kishte shpjeguar autoriteteve ruse se RAI dhe ekipi i gazetarëve vepruan në mënyrë të pavarur.
“Gazetaria nuk është krim. Mundësia që autoritetet e Moskës të hapin çështje gjyqësore ndaj Stefania Battistinim dhe Simone Trainim është e papranueshme. Raportimi nuk bëhet me autorizime paraprake”, thanë në një deklaratë të përbashkët sindikata e RAI-t dhe sindikata kombëtare e shtypit italian. /VOA