Celibashi: 24 orë kohë që partitë politike të regjistrojnë koalicionet
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar kërkesën për regjistrimin e 11 partive për zgjedhjet e pjesshme lokale më 6 Mars. Gjatë mbledhjes së sotme, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi dha një afat prej 24 orësh për regjistrimin e koalicioneve.
“Sikur është e parashikuar në aktin e KQZ do duhet që brenda 24 orëve partitë politike kanë të drejtën për të paraqitur kërkesën për tu regjistruar si koalicion. Pra afati përfundon nesër brenda 24 orëve sepse kështu e ka parashikuar norma rregulluese”, tha Celibashi.
Por cilat janë partitë që do të jenë në garë më 6 Mars. Celibashi njoftoi regjistrimin e Partisë Socialiste, Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim, Partisë Lëvizja e Re, Partisë Fryma e Re Demokratike, Partisë Kristian Demokrate, Partisë Demokristiane, Partisë Reformave Demokratike të Shqipërisë, Partisë Bashkimi Demokrat, Partisë Lëvizja e Legalitit dhe Partisë Balli Kombëtar Demokrat.
Në mbledhje, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike shprehu shqetësim për vendimin e Bashkisë së Durrësit për shpërndarjen e fondeve të rindërtimit në prag të fushatës elektorale.
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se do të nisë një verifikim në lidhje me këtë pretendim./tvklan.al