Lidhja Demokratike e Kosovës ishte një nga partitë që doli fituese nga zgjedhjet lokale, krahasuar me rezultatin e marrë në zgjedhjet e përgjithshme në 14 Shkurt.
Kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, në një postim në mediat sociale teksa vlerëson procesin zgjedhor dhe qasjen që kandidatët kishin gjatë fushatës zgjedhore, përqendrohet tek ecuria e partisë që drejton.
Në reagimin e tij, ai shprehet se LDK ka ndryshuar dhe kjo shihet në rezultatin e zgjedhjeve, ku pati një rritje të votuesve.
“Si LDK, 17 tetorin do ta kujtojmë me krenari; siç e kujtojmë 14 shkurtin si mësim. Njerëzit e Kosovës na vlerësojnë kur jemi të drejtë, siç na largohen kur s’jemi të tillë – dhe kjo është vlera më e mirë e demokracisë.
Veprimtarët tanë i falënderoj për rezultatin e arritur. Një rikthim vërtetë i madh. Vend për mburrje, festë e garë fituesish s’ka. Mbështetja për ne s’është kundër askujt tjetër. Prandaj të punojmë për raundin e ri; e të qëndrojmë kokëulur por krenarë përballë qytetarëve tanë. Besimin e tyre duhet ta kujdestarojmë me plot kujdes si në pushtet ashtu dhe në opozitë. Politikën duhet ta shohim vetëm si përgjegjësi”, shkruan Lumir Abdixhiku./tvklan.al