Shtohen 32 mijë të papunë nga 1 Marsi deri në 17 Maj
Qeveria ka vendosur të shtojë numrin e individëve që do të përfitojnë ndihmën financiare prej 40 mijë Lekësh edhe me 32 mijë persona të tjerë, duke çuar në total në 210 mijë numrin e përfituesve të paketës së zgjeruar.
Në një vendim të miratuar ditën e enjte, Këshilli i Ministrave zgjeron paketën edhe për të papunët që kanë dalë nga skema e sigurimeve shoqërore nga data 1 Mars deri më 17 Maj të këtij viti.
Të gjithë përfituesit mund të nisin aplikimet në llogarinë personale e-filing në faqen e Drejtorisë së Tatimeve, ndërsa afati për të bërë këto kërkesa është data 5 Qershor.
Drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve Delina Ibrahimaj ka vizituar bizneset për të parë problematikat që ata kanë patur me aplikimin online.
Të gjitha kompanitë janë të detyruara që të bëjnë aplikimin për personat që kanë nxjerrë të papunë, përndryshe pas datës 5 Qershor ata do të penalizohen me 50 mijë Lekë gjobë.
Në rastin kur administratori sërish nuk do të plotësojë kërkesën, do të jenë tatimet që do të hedhin automatikisht shumën 40 mijë Lekë në llogarinë e individit.
Janë 63 mijë persona që ende nuk mund të marrin pagën e luftës pasi punëmarrësi i tyre nuk ka aplikuar.
Lista me emrat e çdo përfituesi është publikuar në faqen zyrtare të Drejtorisë së Tatimeve.
Tv Klan