Ervin Pupe në krye të këshillit
9 anëtarët e rinj të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe zëvendësuesit e tyre janë përzgjedhur për një mandate 1-vjeçar me short që ashtu si e parashikon kushtetuta u thirr nga Presidenti i Republikës. Gjykata Kushtetuese do të përfaqësohet në këtë organ nga Marsida Xhaferllari dhe Elsa Toska dhe si anëtare zëvendësuese Fiona Papajorgji.
Nga Gjykata e Lartë goglat i dhanë shansin të jetë pjese e KED-it Ervin Pupes dhe anëtar zëvendësues Ilir Pandës. Adnan Xholi do të përfaqësojë Prokurorinë e Përgjithshme dhe Kujtim Luli anëtar zëvendësues nga radhët e këtij institucioni.
Nga Gjykatat e Apelit u zgjodhën Astrit Kalaja dhe Elona Toro dhe Zegjine Sollaku si anëtare zëvendësuese. Gjon Fusha dhe Genti Xholi me një mandat një vjeçar do të përfaqësojnë në KED Prokurorit e Apelit, dhe Kleant Zekën zëvendësues.
Anëtarja e nëntë dhe e fundit që vjen në këtë organ si përfaqësuese e Gjykatave Administrative, është Rilinda Selimi, dhe zëvendëse do të jetë Gentiana Xhelili.
KED është organi që bën vlerësimin e kritereve për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.
Përzgjedhja e anëtarëve të rinj të tij është kyç në një moment kur Gjykata Kushtetuese ende mbetet jo funksionale. Aktualisht KED është në proces për t’i dërguar presidentit dhe kuvendit listat për të plotësuar dy vakanca.
Tv Klan