Parlamenti i Maqedonisë arriti me vështirësi të miratojë Prokurorin e ri të Përgjithshëm, për mungesë kuorumi. Më në fund, 61 deputetë nga 120 që ka parlamenti gjithësej, votuan pro Lubomir Joveskin-it për postin e kryeprokurorit publik.
Lubomir Joveskin vjen në këtë pozicion në një kohë kur gjyqësori në Maqedoni përballet me probleme si korrupsioni dhe mungesa e reformave. Zoti Joveski pason në këtë detyrë Marko Zvërlevskin, i cili u shkarkua nga parlamenti për mungesë profesionalizmi dhe mosaktivizimi për të hetuar rastet e shkeljes së ligjit nga politikanët.
Prokurori i ri i Përgjithshëm tha për shtypin se është i vetëdijshëm për sfidat me të cilat do të përballet, por premtoi se do t’u kthejë qytetarëve besimin tek institucioni.
63 vjeçari Joveski u zotua se Prokuroria Publike do të mbrojë ligjet, do të sigurojë sundimin e ligjit, do të distancohet nga pushteti ekzektutiv dhe se do të jetë një organ i pavarur që do të hetojë rastet kriminale. /VOA