Ekstradohet nga Turqia i shumëkërkuari i drejtësisë shqiptare Dritan Rexhepi.
Pasi mbërriti në Tiranë, Dritan Rexhepi iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Nën masa të rrepta sigurie, i shoqëruar edhe nga forcat RENEA, Rexhepi u dërgua pranë burgut 313 në Tiranë. Ai u arrestua në 10 Nëntor të vitit 2023 në një kompleks vilash në periferi të Stambollit.
45-vjeçari do të përballet me drejtësinë shqiptare për disa ngjarje të rënda kriminale. Ai është dënuar me 25 vite burg pasi ai u shpall fajtor për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë në vitin 1998. Gjithashtu ai akuzohet për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, proces në të cilin po gjykohet si organizator i ngjarjes.
Rexhepi është arratisur nga burgjet e tre shteteve, ndërsa kërkohet nga Belgjika, Holanda, Italia dhe së fundmi edhe Ekuadori. Dritan Rexhepi cilësohet nga autoritetet e drejtësisë së këtyre vendeve si e “Eskobari” i ri i drogës. Ai është një nga trafikantët më të mëdhenj të kokainës nga Ekuadori në disa shtetet të Evropës.
I shumëkërkuari u arrestua në Guajakil, por mundi t’i shpëtonte burgut, duke u vendosur nën survejim me anë të një byzlylyku elektronik. Organizata e tij vazhdoi të përhapte tentakulat duke krijuar grupe të trafikut në Greqi, Rumani, Hungari, Itali, Spanjë, Holandë, Gjermani, Dubai dhe Shqipëri.
Në të gjitha këto vende, në Shtator 2020, organet e ndjekjes evropiane arrestuan 20 bashkëpunëtorë të Rexhepit, pas shumë muajsh monitorim të lëvizjeve të tyre. Nga një operacion i disa agjencive, përfshirë edhe DEA-n amerikane, 44-vjeçari u lokalizua në Stamboll.
Një tjetër dënim të cilin pritet ta shlyejë është dhe 4 heqje lirie i dhënë nga Gjykata e Fierit në 2015, për falsifikim të vulave stampave, apo dhe dokumenteve të identifikimit.
Klan News