Këto janë pamjet kur forcat speciale RENEA, kryejnë kontroll në banesën e Ervis Lamit në zonën e Zall Mnerit. Kontrollet e policisë në banesën e 31-vjeçarit u kryen pasi u shpall në kërkim pas vrasjes së postierit Lulzim Visha, ngjarje e ndodhur 2 javë më parë.
Policia i është rikthyer kontrolleve pas dyshimeve se mund të ishte kthyer në banesë, por dhe për të gjetur prova që mund të ndihmojnë hetimin. Policia është hermetike sa i takon provave që mund të kenë gjetur në banesën e Lamit.
Sipas sistemit TIMS, 31-vjeçari ndodhet në Shqipëri dhe nuk rezulton që të ketë kaluar kufirin. Megjithatë ka dyshime se ai mund të jetë larguar ilegalisht në Kosovë, duke shmangur kontrollin në kufi dhe më pas të jetë larguar në destinacione të tjera.
Pas ngjarjes u arrestua dhe kushëriri i Ervis Lamit, 37-vjeçari Eduart Lami. Ndalimi i tij u bë pasi në banesën e tij u gjet një armë zjarri automatike me silenciator dhe municion luftarak, 15 fishekë luftarak, një sëpatë, një thikë, dhe 4 gëzhoja armë.
Lulzim Visha u gjet i vrarë mëngjesin e 24 Janarit në një makinë në rrugën “Shën Stefani” në Zall Mner të Tiranës. Visha punonte postier dhe në momentin e ngjarjes ishte nisur për në punë me automjetin e një poste private, ku u qëllua me breshëri plumbash.
Sipas informacioneve të policisë brenda automjetit me të cilin po lëvizte viktima, u gjetën 12 gëzhoja pistoletë.
Pista kryesore për vrasjen e 48-vjeçarit është ajo e konfliktit për pronat me fisin Lami, por ende nuk është provuar nga policia.
Klan News