Situata nga zjarret në jug të vendit është drej normalizimit. Aktive mbeten ende vatrat e zjarrit në Delvinë dhe Dropull. Ministria e Mbrojtjes njofton se në vendin e quajtur Agjioneri, në bashkinë Delvinë, po punohet intensivisht për izolimin e plotë të zjarrit. Puna po vijon edhe në vatrën tjetër në bashkinë Dropull, ku situata këtë të Enjte është më e qetë.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes në 24 orët e fundit janë raportuar 23 vatra zjarri, nga të cilat 21 janë shuar falë punës së pandërprerë të forcave të emergjencave civile.
Shërbimet Zjarrfikëse dhe Forcat e Armatosura po vijojnë përpjekjet nga toka dhe ajri për vendosjen nën kontroll të zjarrit në dy vatra ende aktive. Por sipas ministrisë situata është nën kontroll dhe zjarret nuk paraqesin rrezik për banesat dhe forcat zjarrëfikëse vijojnë punën.
Në këto aksione për shuarjen e zjarreve morën pjesë 464 efektivë zjarrfikës, dhjetëra efektivë të Forcave të Armatosura, forcat bashkiake, forcat policore, punonjësit e Administratës së Zonave të Mbrojtura dhe të shërbimit pyjor, si dhe forcat vullnetare.
Për zjarrin në Dropull Policia ka vënë në pranga një 39 vjeçarë i cili akuzohet për zjarrëvenie të qëllimshme.
Klan News