Zona turistike e Shëngjinit rrezikon seriozisht ekzistencën e saj pas disa vitesh. Kjo për shkak të erozionit dhe të përparimit të detit drejt godinave të ndërtuara fare afër bregut. Sipas specialistëve që nga viti 1939, uji ka avancuar rreth 400 metra në brendësi të tokës, duke patur një mesatare prej 2.5 metrash në vit. Ata shprehen se përmbytja e zonës është vetëm çështje kohe nëse nuk do të merren masa drastike.
Margarita Trashaj: “Ndërtimet gjatë këtyre viteve janë realizu në mënyrë spontane, pa plane urbanistike, pa studime. Në një pjesë sidomos në zonën e Kunës, deti po merr tokën dhe kjo sipërfaqe e tokës po zvogëlohet dhe po i afrohet vija e ujit, po i afrohet ndërtimeve”.
Përveç kësaj, specialistët e mjedisit japin alarmin se me ndryshimet klimaterike të viteve të fundit fenomeni i erozionit është përshpejtuar në zonën e Shëngjinit dhe atë të Lagunës së Kune Vainit.
Jak Gjini: “Dunat bregdetare, peizazhi bregdetarë, rëna që përdoret për plazh, gjithçka pra është në erozion të vërtetë të pa krahasueshëm. Është e detyrueshme marrja e masave mbrojtëse, të paktën parandalimi që erozioni të mos shkojë.. të mos përparojë më shumë deti në drejtim të tokës”.
Nga ana e tyre drejtuesit e pushtetit lokal thonë se ky proces i ndërtimeve pa kriter, ka vazhduar në vit edhe se shpëtimi i vetëm është ndërtimi i disa skalierave mbrojtëse.
Luigj Prela: “Ky është një fenomen i dukshëm erozioni, ku gërryerja nga deti po merr me qindra metra, por masa menjëherë janë bo studime, janë bo projekte, janë paraqit në qark dhe janë miratua dhe janë dërgua për miratim në KRTSH”.
Përveç ndërtimeve fare afër bregut, një tjetër problem mbetet edhe ngritja e godinave shumëkatëshe në këtë zonë me strukturë të paqëndrueshme të tokës. Avancimi i detit është i pandalshëm dhe tashmë kërcënimi për përmbytjen e zonës është një realitet që nuk duket dhe aq larg./tvklan.al
Gazetar: Gjergj Figuri