25 personat që u arrestuan në kuadër të fazës së katërt të operacionit “Tempulli”, i përkasin katër grupeve kriminale. Ata vepronin në katër zona të ndryshme të kryeqytetit për shpërndarjen e drogës. Shefi i Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dha detaje për Klan News se si u zbuluan grupet kriminale.

Dritan Sula, shef i Seksionit për Hetimin e Narkotikëve: Zonat janë kryesisht në afërsi të shkollave, lokaleve të natës, ambientet e hapura ku organizohet festa të ndryshme. Janë goditur katër grupe kriminale. Çdo grup kishte persona dhe anëtarët e vet që ishin të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Komunikimin e kishin nëpërmjet telefonave dhe ishin të ndara në zona të ndryshme ku këta persona shisnin lëndën narkotike.

Droga sintetike LSD vinte me postë nga Serbia dhe më pas shitej nëpërmjet rrjeteve sociale.

Dritan Sula, shef i Seksionit për Hetimin e Narkotikëve: Porosia e lëndëve narkotike bëhej nëpërmjet rrjeteve sociale, kjo e fundit nëpërmjet Instagramit dhe pasi arrihej marrëveshja për çmimin ajo dërgohej me postë. Në rastin e fundit lënda narkotike LSD ishte në formë kartoni që zakonisht nuk arrihet të dallohet me sy të lirë, por me anë të ekspertimit të saj. Kjo lëndë narkotike është shumë e rrezikshme për përdoruesit e saj, pasi nuk i njihen efektet dhe shpesh herë ndodh që këta përdorues të kalojnë në overdozë dhe të rrezikohet jeta e tyre.

Pasi porosia bëhej në Instagram, më pas dërgohej përmes motorëve të shërbimit “delivery”, kjo për të shmangur ndonjë dekonspirim të mundshëm. Për këtë operacion vijojnë në kërkim edhe 3 persona.

25 të ndaluarit të cilëve iu sekuestruan qindra doza drogë sintetike ekstazi dhe LSD e rreth 20 kg marijuanë e kokainë, u lanë në arrest me burg nga Gjykata e Tiranës.

Klan News