SPAK ka firmosur urdhërarreste për grupin kriminal, të drejtuar nga vëllai i Edmond Papës, Kristo Qirici. Papa u vra në Dhjetor të 2022, krim që dyshohet se ndodhi si pasojë e prishjes së pazareve të drogës.

Sipas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme ky grup kriminal gjatë viteve 2019-2021, në Sarandë, merrej me kultivimin dhe trafikimin e bimëve dhe lëndëve narkotike. Për këtë operacion prokuroria ka firmosur 10 masa sigurimi “arrest në burg”. Mes tyre 4 efektivë policie. Grupi kriminal i Kristo Qiricit sipas organit të akuzës që e ka të provuar edhe me dokumente, por edhe nga komunikimet në Sky ECC, kryente trafikimin e drogës drejt Greqisë. 

Nga hetimi është arritur të dokumentohet rasti i trafikimit për në Greqi, më 07.03.2020, përmes pikës së kalimit kufitar, “Qafë Botë”, të një sasie prej 1144.9 kg kanabis sativa të papërpunuar, 4.068 kg kanabis të përpunuar (çokollatë) dhe 0.916 kg kanabis i përpunuar (vaj), me vlerë rreth 1.700.000 euro, sasi kjo që u është sekuestruar dy shtetasve italianë të dënuar në Greqi”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Ndërsa punonjësit e policisë që kanë ndihmuar grupin krimial që vepronte në Sarandë për të trafikuar lëndë narkotike, por edhe për çështje të tjera, janë shefi i Komisariatit i Policisë Kufitare në Sarandë, Elvis Dervishi dhe Erdit Hazizaj, ish-efektivi i policisë i larguar nga uniformat blu që në vitin 2022. SPAK ka goditur edhe një grup kriminal që vepronte në zonën e Tepelenës dhe Gjirokastrës që merrej me kultivimin e bimëve narkotike. Pjesë e këtij grupi ishte edhe punonjësi i policisë Shkëlzen Ruska.

“Nga hetimi është arritur të dokumentohet fakti se në datën 01.10.2020, policia e Gjirokastrës, ka ndaluar në në rrugën mes fshatit Dukaj dhe fshatit Salari, Tepelenë në një furgon tip “Iveco”, me ngjyrë të bardhë të mbyllur, ku janë gjetur dhe sekuestruar bimë narkotike kanabis sativa në formën e bimëve, me kërcell, degë, gjethe dhe boçe, në gjendje të njomë, me peshë totale 1280 kilogram dhe e përbërë nga 1360 bimë me gjatësi 30-120 cm”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjatë ekzekutimit të vendimeve të gjykatës është ushtruar kontroll, edhe në disa objekte ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale sende të ndryshme si telefona, armë etj, dhe po vazhdojnë kontrolle në banesa dhe ambiente të tjera. Policia e Shtetit njoftoi pezullimin e tre efektivëve që ishin në detyrë, ndërkohë një pjesë e personave të dyshuar sipas SPAK, nuk janë në Shqipëri. 

Klan News