Zëvendës Sekretari i Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Richard R. Verma dhe e Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn u takuan sot në Tiranë me Kryeministrin Edi Rama.

“Ata diskutuan mbështetjen e jashtëzakonshme të Shqipërisë për refugjatët afganë dhe Ukrainën dhe se sa jetik është integrimi në BE për të ardhmen e Shqipërisë”, njoftoi ambasada amerikane në Tiranë.

Zëvendës Sekretari Verma përgëzoi Shqipërinë për përzgjedhjen për një marrëveshje kompakte me MCC.

“Një mundësi për të bashkëpunuar në një program për rritjen ekonomike teksa Shqipëria ecën drejt integrimit të plotë europian”, njoftoi ambasada.

Në lidhje me këtë ngjarje reagoi vetë Zëvendës Sekretari. Verma tha se integrimi në BE është kyç për të ardhmen e Shqipërisë.

“Një kënaqësi takimi me kryeministrin Edi Rama në Tiranë për ta falënderuar për pritjen e afganëve dhe mbështetjen e Ukrainës. Ne ramë dakord se integrimi në BE është thelbësore për të ardhmen e Shqipërisë. Partneriteti ynë i fortë garanton që Shqipëria të përparojë drejt integrimit të plotë evropian”, shkruan Varme.

Zyrtari i lartë, pas Tiranës, do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë ku në fokus do të jetë lehtësimi i dialogut ndërmjet dy vendeve./tvklan.al