Sumeja ishte pak muajshe kur i ati u vra, ndërsa Krenarja nuk arriti ta njohë kurrë. Është kjo historia e trishtë e dy motrave kosovare, babai i të cilave, komandant i UÇK-së, Ilaz Kodra ra në luftë më 30 Prill të vitit 1999.

Në një intervistë për “Opinion”, Sumeja thotë se ka vetëm një foto si kujtim.

“Kam vetëm një foto, isha 11 muajshe dhe mami ishte shtatzënë me motrën në muajin e tretë. Ne për babin na kanë treguar më shumë familjarët. Jemi rrit me gjyshen, axhën e babit, mamin, hallat. Me familjen e babit. Janë munduar të na tregojnë, që ta njohim babin. Më thonë që i kam ngjarë shumë…Edhe pse se kemi njohur kurrë, pak vështirë është…Më thonë që babi ka qenë shumë i lidhur me mua, edhe është munduar të më marrë pas vetes kur ka pasur mysafirë këtu te kulla. Ka dashur t’i bëhem si shoqe…”

Ndërsa Krenarja, ka arritur ta njohë përmes rrëfimeve nga të tjerët.

“Kur s’ke kujtime, ndoshta ke qejf ta njohësh prindin, por… Arrin ta njohësh vetëm përmes rrëfimeve të të tjerëve. Për fat të mirë, babi ka pas lidhje të ngushtë me familjen, por edhe ka njohur shumë njerëz. Na vizitojnë edhe në përvjetor, ditë të tjera. Nuk ka shans te ne që një ditë të kalojë pa na treguar diçka për të. Na tregojnë që ka qenë shumë human. Na tregojnë që ka qenë shumë strateg e vizionar në luftë. Secila periudhë e babit i ka ato karakteristikat e veta.”/tvklan.al