Anila Maloku tregon se ka shtëpinë e saj, por prej 10 vitesh nuk po merr certifikatën hipotekore. Anila thotë se ka marrë lejen e legalizimit dhe e sorrollasin për certifikatën.

Dosja më parë ka qenë në Fier e tashmë ka kaluar në Lushnje, ku i thonë se duhet të bëjë aplikimin nga fillimi edhe pse ajo i ka përfunduar të gjitha procedurat.

Anila Maloku: Nga viti 2015 kemi marrë leje legalizimi nga Drejtoria Vendore e Lushnjës dhe presim që të certifikohet shtëpia, por na kanë hapur probleme me pjesën e dokumenteve.

Gazetarja: Tani shtëpia është e vendosur në një truall, si e ke përfituar truallin?

Anila Maloku: Truallin ne e kemi të vjehrrit, sipërfaqja për njërin kat është 138.5 metër katror, kjo bëhet fjalë për të dy katet bashkë, për pjesën tonë dhe të kunatit bashkë.

Gazetarja: Çfarë problemi ka me dokumentacionin?

Nuk e kuptoj as unë i kam bërë të gjitha procedurat, kam bërë pagesën dhe për mbylljen e dokumenteve në Hipotekën e Lushnjës. Kam bërë të gjitha dokumentet që më janë kërkuar nga noterja, pastaj më thanë që dosja nuk është në Lushnje, por është në Fier. Shkuam në Fier e morëm vetë dosjen, ndërkohë që këta na thoshin që nuk e marrim dot. E kam marrë unë personalisht dosjen, kemi bërë kërkesën, pastaj këtu ngeli sepse zotëria që e ndjek thotë që ju nuk e merrni dot certifikatën e shtëpisë sepse duhet të bëni riaplikim nga e para të të gjithë dosjes, sepse ka ndryshuar ligji. Ndërkohë ligji ka ndryshuar kur mua më erdhi dosja nga Fieri në Lushnje. Kërkojmë të na ndihmoni që të marrim certifikatën e shtëpisë sepse kemi 10 vjet që zvarritemi dhe asgjë nuk kemi nxjerrë,” tregon më tej për mikrofonin e emisionit “Stop” denoncuesja, Anila Maloku.

Anila është drejtuar në Kadastër, por nuk po merr zgjidhje megjithëse lejen e legalizimit e ka marrë.

Qytetarja: Lejen e legalizimit e kam marrë.

Punonjësi: Kur e ke bërë aplikimin?

Qytetarja: Kam 10 vjet, që e kam bërë.

Punonjësi: Po pse ka ngel?

Qytetarja: Nuk e di, ku ka ngecur.

Punonjësi: E ke marrë certifikatën?

Qytetarja: Lejen e legalizimit?

Punonjësi: Po!

Qytetarja: Po!

Punonjësi: Ke aplikuar nëpërmjet e- Albania?

Qytetarja: I kam bërë të gjitha dhe pagesat. Kam 10 vjet, që e kam mbyllur. Mund të marr një përgjigje, se ku ka ngelur.

Punonjësi: Ta shikoj nesër në mëngjes. Mos të gënjej kot.

Problematikën e saj e adresuam në Drejtorinë e Përgjithshme të Kadastrës, ku na shpjegojnë se ndryshimet në sistem mes periudhës së aplikimit të parë dhe të fundit, që ka kryer zonja kanë qenë pengesë teknike. Për një javë u premtua marrja e hipotekës dhe në fakt ashtu ndodhi./tvklan.al