Afërdita Poçi nga Lushnja, është mësuese letërsie prej 20 vjetësh, por së fundi po përballet me disa padrejtësi. Ajo është detyruar të hyjë në konkurs me dosje pas rënies së normës mësimore.

Në këtë proces u rendit e dyta dhe i dhanë orë në 2 fshatra, ndërkohë, që mësuesen që u rendit e treta e lanë në shkollën qendër Bubullimë dhe në një shkollë tjetër në qytetin e Lushnjës.

“Pasi u bënë dosjet mësuesja e parë mori 15 orë Gjuhë Shqipe dhe 5 orë të tjera plotësuese. Një 5 orësh Gjuhë Shqipe për t’i ruajtur vendimin, 5 orë të tjera ia dhanë mësueses me dosje të tretë, jo mua. Jo unë që u rendita e dyta. Unë përfundova 15 orë në Rrapëz dhe 6 orë në Halilaj,” tregon për mikrofonin e emisionit  “Stop” Afërdita Poçi.

Gazetarja: Mësuesja që u rendit e treta në këtë konkurs me dosje ku shkoi?

Afërdita Poçi: Ajo ka 10 orë në “Dhimitër Mino” që është shkolla qendër dhe 10 orë tek “Foto Puka” që është një shkollë 9-vjeçare këtu në Lushnje.

Gazetarja: Pse nuk ua dhanë ju ato orët e shkollës qendër, sepse ishit e dyta?

Afërdita Poçi: Po i vetmi justifikim ishte që “mjafton që je në punë, je në ngarkesë.”

Bashkë me Afërditën emisioni “Stop” ndoqi itinerarin e një dite të saj me ndarjen e bërë, 3 orë në fshatin Rrapëz, ku transportin duhet ta sigurojë vetë dhe 1 orë tjetër në fshatin Halilaj, me distancë të konsiderueshme nga njëri-tjetri, shpesh duke rrezikuar, të mos gjejë makinë dhe të mos kapë orën e mësimit.

Gazetarja: Në fakt është një distancë jo shumë e largët, por as e afërt me vendbanimin tuaj, që të vish deri këtu. Me çfarë vjen?

Afërdita Poçi: Kemi rregulluar bashkë me dy kolegë të tjerë që marrim një mjet transporti publik dhe vijmë deri këtu.

Gazetarja: Nuk është se ka fugon apostafat për ju mësuesit që t’iu shpërndajë nëpër shkolla.

Afërdita Poçi: Jo nuk ka një fugon apostafat.

Gazetarja: Kompensimi i pagesës iu bëhet 100%?

Afërdita Poçi: Jo, diku tek 3 orë.

Emisioni “Stop” shkoi në Shkollën e Mesme të Bashkuar “Dhimitër Mino” në Bubullimë, shkolla qendër dhe takoi drejtorin Arben Bame.

Arben Bame, drejtori i shkollës: Nuk është e vërtetë.

Gazetarja: Po si është?

Arben Bame, drejtori i shkollës: Edhe kandidatja është në punë dhe kjo është në punë, kaq.

Gazetarja: Po është në punë, por pse kjo preferenciale, ndarje?

Arben Bame, drejtori i shkollës: Nuk ka preferenciale.

Gazetarja: Pse nuk keni lënë, atë që doli e dyta në shkollën këtu, në Bubullimë dhe orët plotësuese në shkollën tjetër.

Arben Bame, drejtori i shkollës: Po e linim, por ajo vendosi vetë ashtu.

Gazetarja: Jo nuk e ka vendosur vetë.

Arben Bame, drejtori i shkollës: Bëri zgjedhjen, ra dakord dhe kaq.

Gazetarja: Pse zysha e cila doli e treta në renditje qëndron në shkollën qendër mban 10 orë këtu, ndërkohë që mund t’i kishte mësuesja e dytë.

Arben Bame, drejtori i shkollës: Mësuesja i nxjerr tani këto arsye. Zysha ra dakord.

Drejtori i shkollës, Arben Bame insistoi që për këto orë ka rënë dakord mësuese Afërdita, por kjo e fundit e mohoi një gjë të tillë.

Gazetarja: Cilat janë avantazhet nëse do iu ishin dhënë këto orët për të cilat ne po flasim.

Afërdita Poçi: Avantazhi i parë ishte, që transporti për në Bubullimë është i garantuar, në kuptimin që është më lehtë për të shkuar me fugonin që shkojnë mësuesit dhe orari për kthim është sërish me ata. E dyta është me lehtë kur i ke të ndara me ditë të veçanta.

Eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti e quan shkelje të rëndë këtë, që ka ndodhur.

“Renditja është shumë e qartë dhe sipas renditjes është qartësisht dhe udhëzimi, i jepen orët të parës, të dytës dhe më pas të tretës. Nuk ka renditje i pari, i katërti dhe i gjashti. Ai që është i dyti merr atë ngarkesë mësimore që ka mbetur në shkollë dhe pjesën tjetër e merr në një shkollë që është sa më afër për të mos cenuar cilësinë e mësimdhënies dhe për të pasur një qasje dhe një akses sa më të mirë mësuesi në shkollën e dytë,” sqaroi eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti.

Pas kësaj mësuese Afërdita futet në konkursin për Koordinatore e Këshillimit të Karrierës dhe fiton këtë pozicion në 3 shkolla, gjë që u konfirmua me shkrim nga DRAP Fier./tvklan.al