Miratohet pako emergjente për bizneset dhe qytetarët
Pakoja emergjente e miratuar nga qeveria e Kosovës synon të ndihmojë bizneset dhe qytetarët e dëmtuar nga situata e krijuar nga pandemia e virusit COVID-19.
Në këtë pako përfshihet pagesë shtesë prej 100 Eurosh për punëtorët e dyqaneve dhe farmacive për muajin Prill dhe Maj, pagesë prej 130 Eurosh pë ata punëtorë që humbin vendet e tyre të punës, subvencionim deri në 50% të vlerës së qirasë për ndërmarrje të vogla dhe të mesme dhe pagesë e dyfishtë e vlerës së skemës sociale.
Janë parashikuar edhe 300 Euro shtesë mbi pagën për stafin mjekësor, policinë, zjarrfikësit, inspektorët, të cilët janë të ekspozuar drejpërdrejt ndaj rrezikut të infektimit.
Por kanë reaguar punëtorët e kompanisë “Pastrimi”, të cilët nuk janë të përfshirë në këtë pako. Ata kanë paralajmëruar protestë paqësore për të premten.
Sindikata e sektorit privat vlerëson se në këtë kohë të pandemisë po diskriminohen punëtorët, ndërsa kërkon të verifikohen mjetet e ndara nga qeveria.
“I bëjnë thirrje qeverisë se pa sindikatën nuk mund të ketë ndarje adekuate të mjeteve në këtë sektor”, thotë Jusuf Azemi, kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat në Kosovë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se Kosova duhet të shohë mundësitë për financim nga institucionet ndërkombëtare dhe bashkëpunim me sektorin privat.
“Duhet të kemi një plan të qartë nga vijnë mjetet dhe si do të alokohen ato. Kjo nënkupton edhe mënyrën e marrjes së kredisë, institucionin financiar ndërkombëtar ose nëse është kredi borxh publik i brendshëm. Duhet të shohim se si alokohen ato mjete dhe maturitetin”.
Rukiqi vlerëson se pas dëmit të krijuar nga koronavirusi, do të ketë përgjysmim të normës së rritjes ekonomike.
Tv Klan