Deti i thellë është “shtëpia” e krijesave të mrekullueshme, por edhe të çuditshme. Gjatë miliona viteve, ato kanë evoluar tipare të caktuara për t’u mbijetuar kushteve të habitatit të tyre. Ky proces i ka bërë shumë specie të transformohen në mënyrë të frikshme.
Ne kemi përzgjedhur disa gjallesa për të cilat mbase s’keni dëgjuar kurrë, e që gjenden në thellësitë më të panjohura të oqeanit. Aty ku drita fillon e pakësohet, duke i lënë vendin errësirës dhe temperaturave shumë të ulëta…
Ngjala “shapkë”
Kanë nofulla si sqep, sy të mëdhenj dhe trup të hollë. Zakonisht gjenden në thellësi nga 300-600 m. Këto ngjala mund të rriten deri në 2 m.
Peshkaqeni i “pjekur”
Gjendet në mbarë botën dhe noton duke valëzuar trupin e tij si një gjarpër. Është një grabitqar aktiv me dhëmbë tejet të mprehtë me tre cepa, të cilët i përdor për vaktin e tij të preferuar të kallamarëve, peshqit apo peshkaqenëve të tjerë.
Duket si peshk i lezetshëm, por në fakt është peshkaqen!
Ky lloj peshkaqeni jeton në oqeane tropikale në të gjithë botën, në thellësi deri në 1000 m, megjithatë noton në sipërfaqe gjatë natës për t’u ushqyer.
Oktapod “Dumbo”
Ekzistojnë 17 lloje oktapodësh “dumbo” të cilët janë emëruar sipas personazhit të dashur të elefantit të Disney-t dhe sigurisht formës që kanë. Jetojnë deri në 4000 m thellësi të oqeanit dhe janë rreth 20 cm të gjatë.
“Nepërka” e detit të thellë
Ky peshk me dhëmbë në formë gjilpërash quhet ndryshe “nëpërka” e Paqësorit. Shumica e tyre gjenden nga 200 deri në 1000 m thellësi dhe kanë organe që prodhojnë dritë në barkun e tyre.
Peshkaqen Goblin
Ngjan si peshkaqen “alien” me gojën e çuditshme që e ka enkas për të rrëmbyer gjahun. Pak dihet për peshkaqenët goblin…
Peshkaqeni i Groenlandës
Peshkaqeni i Groenlandës është një specie jashtëzakonisht jetëgjatë që banon në ujërat e Atlantikut të Veriut dhe Arktikut deri në thellësi 1200 m. Studiuesit thonë se ata jetojnë të paktën 250 vjet dhe ndoshta më shumë se 500 vjet, gjë që i bën ata vertebrorët më jetëgjatë. Janë notues të ngadaltë dhe njerëzit i gjuajnë këta peshkaqenë për mishin dhe lëkurën e tyre. Mishi është helmues kur hahet i gjallë, por bëhet i ngrënshëm kur thahet.
Kallamarët “Magnapinna”
Një gjini e kallamarëve të rrallë që mund të rritet deri në 6 m të gjatë falë krahëve dhe tentakulave të tyre. Ata mund të jetojnë 6000 m në thellësi të detit.
Peshku i zi
Peshku i zi i detit ka një dritë në majë të kokës dhe jeton deri në 4500 m nën sipërfaqen e oqeanit. Femrat rriten deri në 20 cm ndërsa meshkujt arrijnë vetëm rreth 3 cm gjatësi. Peshku mashkull i këtij lloji vepron si parazit. Kur gjen një “partnere” të përshtatshme, ai lidhet me të duke bashkuar lëkurën me të për gjithë jetën, duke marrë lëndët ushqyese që ajo gëlltit.
Kandili i “përgjakur”
“Lampocteis cruentiventer” është një specie e kandilit të deti që gjendet në thellësi nga 250 deri në 1500 m. Ka një stomak të kuq, i cili në fakt e ndihmon atë të përshtatet me mjedisin e errët. Në thellësitë ku jeton, drita e kuqe absorbohet dhe duket e zezë, duke e bërë atë pothuajse të padukshëm për grabitqarët.
Gaforrja “hoff”
Gaforrja Hoff është një specie e detit të thellë që jeton pranë kanaleve hidrotermale. Dallohet sepse mbulohet nga një “gëzof” dhe i përdor qimet e veta për të mbledhur bakteret, me të cilat ushqehen.
“Engjëlli i detit”
“Gymnosomata” janë një grup kërmijsh notues që gjenden deri në thellësitë 610 m, në ujëra të ftohtë në mbarë botën. Ata kanë trupa xhelatinoz që variojnë nga deri 4 në 8 cm të gjatë, në varësi të specieve. Kanë dy krahë të quajtur parapodia dhe s’kanë guaskë. Lëkura e tyre është e tejdukshme, nga ku duken organet që mund të jenë në ngjyrë rozë ose portokalli.
“Peshku dragua”
“Stomiidae” janë një familje krijesash që jetojnë në zonat e muzgut të oqeanit deri në 4500 m. Si meshkujt ashtu edhe femrat kanë nofulla të hapura, por femrat kanë dhëmbë të gjatë dhe të tejdukshëm. Femrat gjithashtu kanë “dritë” te mjekra e tyre që përdoret për të tërhequr gjahun.
/tvklan.al