“Këtu lejohen vetëm peshkaqenë”, kështu është nisur një postim në faqen zyrtare të Ervin Salianjit në “Facebook”.
Më tej, në postim thuhet se rreth 6 vjet më parë kur partnerët ndërkombëtarë insistonin tek drejtësia duke kërkuar që “Peshqit e mëdhenj” të politikës të përfundonin pas hekurave, Salianji hyri në Kuvend me një peshk dhuratë kryeministrit.
“Mirëmëngjes! Këtu lejohen vetëm peshkaqenë! Në 2018, gjashtë vjet më parë, kur partnerët ndërkombëtarë me të drejtë insistonin tek drejtësia funksionale, duke kërkuar që “Peshqit e Mëdhenj” të politikës të përfundonin pas hekurave. Një metaforë e gjetur simbolike kur Salianji hyri në Kuvend, me një peshk dhuratë kryeminsitrit. E shakaja e gjetur e punonjësve te Gardës: “këtu lejohen vetëm peshkaqenë… Reagoni”, thuhet në postim.
Vlen për t’u theksuar se nga momenti që Ervin Salianji ndodhet në burgun e Fierit, menaxhimi i rrjeteve të tij sociale bëhet nga persona të besuar, pra nuk ka postuar ai vetë nga burgu pasi është e ndaluar përdorimi i telefonave.
Salianji u dënua me 1 vit burg nga Gjykata e Apelit që la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë në lidhje me çështjen “Babale”./tvklan.al