“Nis procedurat për zgjedhjet lokale”
Një ditë pas apelit të Presidentit Ilir Meta drejtuar institucioneve dhe partive politike që të zbatojnë dekretin për mbajtjen e zgjedhjeve në 13 Tetor, partitë opozitare kanë bërë lëvizjen e parë, duke i kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të nisë procedurat për zgjedhjet.
Duke e konsideruar të paligjshëm 30 Qershorin, Partia Republika, Partia Agrare Ambjentaliste dhe LSI, theksojnë se data e re e caktuar me dekret për zhvillimin e vendoreve është 13 Tetori, ndaj në bazë të kodit elektoral, Komisioni duhet të fillojë përgatitjet për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit.
Kërkesa e depozituar tashme në KQZ ishte edhe mbrëmjen e së enjtes në qendër të takimit që Lulzim Basha zhvilloi në orët e vona me aleatët e tij në selinë blu.
Burime nga Partia Demokratike konfirmojnë për Televizionin Klan se Basha është shprehur që KQZ e ka detyrim të pashmangshëm ligjor të përgatisë zgjedhjet e 13 Tetorit, pasi i vetmi akt me fuqi kushtetuese në lidhje me zgjedhjet është dekreti i Presidentit.
Nëse do të ketë zgjedhje me 13 Tetor, e hëna e 4 Gushtit është afati i fundit për regjistrimin e partive.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se do ta shqyrtojë kërkesën të shtunën, edhe pse ky institucion nuk e ka njohur dekretin e Presidentit për 13 Tetorin dhe organizoi e përmbylli procesin për zgjedhjet vendore te 30 Qershorit.
Edhe maxhoranca është shprehur se 13 Tetori do të jetë vetëm një ditë e zakonshme pushimi, pasi zgjedhjet vendore janë mbyllur tashmë.
Ndërsa opozita, edhe pse i kërkon KQZ–së të zhvilloje zgjedhjet me 13 Tetor, nuk ka marrë ende një vendim për të hyrë në këto zgjedhje, pasi ajo vazhdon ta kushtëzoje pjesëmarrjen me largimin e Kryeministrit.
Tv Klan