Ekipet e kërkim shpëtimit po garojnë me kohën për të gjetur të mbijetuarit nga një tërmet i fuqishëm që ka vrarë të paktën 14 njerëz në Vanuatu në ishullin e Paqësorit.
Tërmeti me magnitudë 7.3 që goditi kryeqytetin Port Vila duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në ndërtesa, rrëshqitje dherash dhe dëmtoi rëndë infrastrukturën energjitike dhe atë të telekomunikacionit.
Autoritetet kanë bërë të ditur se numri i viktimave ka gjasa të rritet edhe më shumë për shkak se shumë persona dyshohet se janë nën rrënoja. Më shumë se 200 persona janë plagosur, ndërsa kryeministri i Vanuatu, Charlot Salwai tha se një komitet kombëtar i fatkeqësive ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe ka vendosur një shtetrrethim për shtatë ditë në zonat më të prekura. Autoritetet kanë kërkuar ndihma ndërkombëtare.
Australia dhe Zelanda e Re kanë dërguar ekipe mjekësore dhe të kërkim shpëtimit të specializuara. Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare vlerëson se rreth një e treta e popullsisë së arkipelagut prej rreth 335,000 njerëz ishte prekur nga efektet e tërmetit.
Gjithashtu një kompleks që strehon misionet diplomatike të Britanisë, Francës, Zelandës së Re dhe Shteteve të Bashkuara është ndër ndërtesat që kanë pësuar dëmtime serioze. Vanuatu, një arkipelag me rreth 80 ishuj në Paqësorin Jugor, ndodhet në perëndim të Fixhit dhe mijëra kilometra në lindje të Australisë veriore. Ai ndodhet në një zonë sizmikisht aktive dhe është i ndjeshëm ndaj tërmeteve të mëdha dhe fatkeqësive të tjera natyrore.
Klan News