Elisa Spiropali, do të jetë tanimë kryetarja e re e Kuvendit, post të cilin e mirëpriti gjatë Kongresit Zgjedhor të Partisë Socialiste. Por le të ndalemi te momentet “kyçe” të karrierës së saj politike.
Pasi kreu studimet në SHBA, Britaninë e Madhe dhe Argjentinë, nisi rrugëtimin e saj politik në 2009-ën. Vit në të cilin ajo u zgjodh kryetare e FRESSH-it dhe anëtare e Asamblesë Kombëtare të PS-së.
Ajo ka mbajtur edhe pozicionin e Sekretares për Rininë dhe Sekretares për Bashkëqeverisjen, këshilltare bashkiake në Tiranë dhe zëdhënëse e Kryesisë së Partisë Socialiste.
Nga Tetori 2013 deri në Mars 2015, u zgjodh Drejtoreshë e Përgjithshme e Doganave. Në vitin 2017 ajo u zgjodh deputete e Korçës, ndërsa që prej 2021-it shërben si deputete e Qarkut të Tiranës.
Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin u zgjodh në Janar të vitit 2019. U riemërua në Shtator 2021 për të njëjtën detyrë, kur PS fitoi mandatin e tretë si forcë qeverisëse.
Përpos detyrës si ministre, Spiropali ka mbajtur edhe rolin e nënkryetares së grupit parlamentar socialist dhe nënkryetare e Komisionit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë.
E kemi parë gjithnjë aktive në seancat plenare, qoftë me fjalimet e saj apo debatet e ashpra me opozitarët. Pritet të shohim se si do e “moderojë” Kuvendin, megjithatë sot ajo bëri premtimin se do bëjë çmos për rikthimin e normalitetit dhe bashkëpunimit mes palëve politike.
Lexo fjalën e plotë të Spiropalit si kryeparlamentare…
/tvklan.al